Gjigandët e statistikave sportive të Opta, kanë përditësuar dje për herë të fundit renditjen e tyre të 10 mijë skuadrave më të mira në botë në bazë të programeve të sofistikuara që përpunojnë të dhënat në bazë të ndeshjeve e vështirësisë së kampionateve në të cilat luajnë apo kompeticioneve ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë.

Dhe në ditën e fundit të vitit 2024, rezulton se janë 33 shqiptare mes 10 mijë skuadrave më të mira në botë. Në krye të listës, edhe pse jo kryesues në Superiore, gjendet Partizani, i cili është i vetmi që pozicionohet mes 1000 vendeve të para. Partizani pozicionohet aktualisht në vendin e 901-të në renditjen botërore të përpiluar nga Opta.

Më pas është Egnatia që mban vendin e 1127-ë dhe Dinamo të 1194-tin, duke plotësuar podiumin e klubeve shqiptare. Vllaznia ndërkohë ndodhet në vendin e katërt në mes ekipeve shqiptare dhe ka koefiçentin 69.5 duke qenë e pozicionuar në vendin e 1283-të në Botë.