Me trepikëshin e marrë ndaj Luftëtarit, në kampin shkodran ka më shumë ngrohtësi. Një fitore e cila e ka ngjitur skuadrën kuqeblu në vendin e tetë në renditje duke qenë tashmë e shkëputur plot 7 pikë nga Lushnja e vendit të fundit dhe 3 pikë nga Luftëtari i parafundit. Shorti është sërish i favorshëm për Vllazninë sepse javën e ardhshme ajo do të presë sërish në Shkodër Laçin dhe ngjitja mund të vazhdojë. Në fakt, sinjalet tashmë janë dhënë. Me ardhjen e stafit të ri, ka më shumë besim në vetvete dhe prandaj rezultatet pozitive pritet të vazhdojnë.

Nëse bëjmë një bilanc të ecurisë së skuadrës nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka, ajo me fitoren e sotme ndaj gjirokastritëve është ngjitur në kuotën e 7 pikëve të marra në 6 ndeshje që ky trajner e drejton atë. Edhe Cungu e pat drejtuar Vllazninë në 6 ndeshje në fillim të sezonit dhe mori vetëm 5 pikë. Jo më kot edhe u largua nga drejtimi i saj. Në këtë aspekt, Gjoka e ka “parakaluar” Cungun. Më shumë pikë, më shumë gola dhe më shumë shpresë. Puna është të vazhdojë kështu sepse askush nuk është i kënaqur me vendin e tetë në renditje.

Vllaznia e Cungut
Lushnja- Vllaznia 0-2
Vllaznia- Teuta 0-1
Luftëtari- Vllaznia 0-0
Laçi- Vllaznia 2-0
Vllaznia- Flamurtari 1-1
Kamza- Vllaznia 1-0
Bilanci: 6 ndeshje- 5 pikë

Vllaznia e Gjokës:
Vllaznia- Partizani 0-1
Kukësi- Vllaznia 2-2
Skënderbeu- Vllaznia 2-0
Vllaznia- Lushnja 2-1
Teuta- Vllaznia 1-0
Vllaznia- Luftëtari 2-1
Bilanci: 6 ndeshje- 7 pikë

© shkodrasport.com