Abbisnet Superiore ka mbyllur mbrëmjen e djeshme javën e 19-të, ku Tirana kryeson kampionatin me 34 pikë, e ndjekur nga Partizani me 31. Nuk mbeten pas as Erzeni dhe Vllaznia, respektivisht me 29 dhe 28 pikë.
Ky kampionat ka treguar se do të jetë i luftuar deri në fund, jo vetëm për titullin kampion, por edhe për zonën europiane dhe mbijetesën, pasi skuadrat janë shumë afër njëra tjetrës. Teksa Tirana dhe Partizani e nisën sezonin me synimin titull, surpriza këtë edicion është ekipi i Erzenit, pasi jo vetëm që ka arritur të marrë rezultate të mira, por ka treguar edhe një nivel të lartë loje. E kundërta mund të thuhet për Teutën dhe Kukësin, dy skuadra me traditë në kampionatin tonë, por që këtë vit po luftojnë për mbijetesë.
Faktori fushë është shumë i rëndësishëm për të fituar ndeshje, por a mund të të japë edhe kampionatin?
Nëse shohim renditjen e skuadrave vetëm përsa i përket ndeshjeve si pritëse, atëherë do të kemi Vllazninë në vendin e parë me 17 pikë në 9 ndeshje të luajtura, që tregon se “Loro Boriçi” është një fortesë për shkodranët dhe një shtysë për Vllazninë që të jetë ende në garë për titullin kampion. Përsa i përket transfertave, shkodranët kanë arritur të grumbullojnë vetëm 11 pikë nga 30 të mundshme, duke qenë larg skuadrave të tjera pretendente.
Tirana është ekipi që mund të fitojë kudo, pasi për bardheblutë ndeshjet në shtëpi dhe ato në transfertë duken sikur janë të njëjta. Në 9 ndeshjet në shtëpi, bardheblutë kanë arritur të marrin 16 pikë, ndërsa në transfertë kanë grumbulluar 18 pikë, por kanë luajtur një ndeshje më shumë. Një statistikë që tregon se Tirana është një ekip i ekuilibruar dhe ndoshta favorit për të fituar titullin kampion.
Partizani ndodhet në vendin e dytë të renditjes, por ka një problem, stadium i ri. Në ndeshjet në shtëpi të kuqtë kanë arritur të marrin 14 pikë nga 30 të mundshme, teksa në 3 ndeshjet e fundit në stadiumin e ri kanë marrë vetëm 1 pikë ndaj Egnatias, teksa kanë humbur me Vllazninë dhe Teutën. Ekipi i Colella-s bën më mirë në transfertë, ku ka grumbulluar 17 pikë, mes të cilave edhe fitorja në derbi ndaj Tiranës.
Stadiumi i ri nuk po jep fryte as në Kukës, pasi verilindorët në shtëpi kanë marrë vetëm 10 pikë në 10 ndeshje, duke zhgënjyer tifozët e tyre. Paraqitja e dobët në shtëpi tregon shumë për gjendjen e ekipit, që lufton npër mbijetesë, pasi historikisht stadium i Kukësit ka qenë një fortesë dhe një fushë e vështirë për çdo ekip.
Njëjtë si Kukësi, edhe Teuta ka zhgënjyer me paraqitjet këtë sezon, pasi durrsakët jo vetëm që nuk po mund të konkurojnë për një vend në Europë, ashtu siç ishin objektivat në fillim të sezonit, por e shohin veten në vendin e parafundit dhe në luftë për mbijetesën. Teuta, ashtu si Kukësi, ka marrë vetëm 10 pikë në fushën e tyre, ndërkohë që kanë arritur të grumbullojnë 11 në transfertë.
Nëse Bylisi është në garë për mbijetesë, kjo ka ndodhur falë ndeshjeve në shtëpi. Ballshiotët prej vitesh e kanë kthyer “Adush Muça-n” në një fushë të vështirë për çdo ekip, ndërkohë që këtë vit kanë arritur të grumbullojnë 15 pikë në shtëpi, nga 23 që kanë në total.