Tirana ka pesë takime që nuk humbet në derbi, por falë një kombinimi të çuditshëm që ka lidhje me Partizanin. Kështu, tre anëtarë të stafit të Tiranës kanë qenë pjesë e të kuqve më parë. Thjesht janë pak “partizanas”. Si fillim Orges Shehi, i cili ka luajtur nga 2006-ta deri në 2009-ën, ka luajtur me Partizanin 150 ndeshje, duke qenë edhe kapiten i skuadrës. Edhe ndihmësi i Shehit, Artan Karapici ka qenë pjesë e të kuqve.

Karapici ka luajtur nga 2006-2010, duke shënuar mbi 15 gola. Edhe Tani ka qenë lideri i skuadrës së kuqe. Nuk ka mbaruar drejtori Tefik Osmani. Për ata që nuk e dinë, Tefiku në sezonin 2007- 2008 ka luajtur me të kuqtë 31 ndeshje, duke shënuar tre gola. Pra Osmani ka qenë si fillim pjesë e Partizanit dhe më pas kaloi te Tirana. Pra treshja është prodhim i kuq, para se të preknin bardheblutë.

Një koincidencë për skuadrën e Tiranës që me Shehin nuk mundet prej pesë ndeshjesh rresht. Orges Shehi erdhi në krye të Tiranës më 27 janar 2021. Kanë kaluar më shumë se një vit e tetë muaj dhe Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”. Për statistikë, Shehi në sfidën me Partizanin shënon ndeshjen e 70-të si trajneri i bardhebluve.

Me Teutën ishte ndeshja e 69-të. Në këto një vite e tetë muaj, Shehi ka grumbulluar 38 fitore, 14 barazime dhe 17 humbje. Golavarazhi është 120:62, duke fituar një titull kampion me Tiranën. Në Superiore janë 61 ndeshje, 119 pikë të grumbulluara dhe një mesatare prej 1,95 pikësh. Shehi gjithashtu ka thyer rekordin e Maganit për jetëgjatësinë në stol dhe shumë shpejt do të kalojë 610 ditët në krye të bardhebluve.