Kush do të fitojë në ndeshjen e së dielës në mes këtyre dy ekipeve, ka hedhur një hap të rëndësishëm për arritjen e objektivit kryesor: largimit nga vendet e fundit të tabelës së renditjes. Vllaznia dhe Luftëtari ndodhen në kuotë të barabartë pikësh dhe jo më kot e konsiderojnë këtë përballje si shumë të rëndësishme, sepse kalendari i mëtejshëm mund të dhurojë të papritura të pakëndshme për to. Po çfarë thonë statistikat e përballjeve në mes këtyre dy skuadrave. Ato janë ndeshur deri më tani në 76 ndeshje dhe Vllaznia ka arritur të fitojë më shumë se gjysmën e tyre, plot 45 ndeshje. Luftëtari, ndërkohë, ka fituar vetëm 16 takime përballë shkodranëve, ndërsa në barazim mes këtyre dy ekipeve janë mbyllur 15 takime. Edhe golaverazhi flet dukshëm për kuqeblutë, që kanë shënuar plot 129 gola në portën e Luftëtarit, ndër vite, ndërsa ky i fundit ka shënuar vetëm 58 gola në portën e Vllaznisë. Megjithatë, në raste të tilla zakonisht statistikat nuk vlejnë. Në takimin e së dielës gjithçka mund të ndodhë. Kjo nisur edhe nga përballjet e një sezoni më parë ku ndër katër të tilla të zhvilluar, tre u mbyllën në barazim ndërsa vetëm një u fitua nga Luftëtari.
Dy prej barazimeve ishin në rezultatin e bardhë 0-0, një tjetër 2-2 në Shkodër ndërsa fitorja e vetme e gjirokastritëve u rregjistrua në Shkodër në shifrat 3-2. Po ashtu, interesant është edhe fakti tjetër se nga autorët e nëntë golave që kanë shënuar këto dy skuadra në përballjet e një sezoni më parë, vetëm njëri prej autorëve të tyre vazhdon të luajë sërish me të njëjtën skuadër. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Vllaznisë Antonio Marku. Të tjerët nuk janë më pjesë e saj dhe bëhet fjalë për Bakajn e Shtubinën ndërkohë që golat e Luftëtarit kanë patur për autorë Cicmilin (autogol), Reginaldon tre herë dhe Boyom. Të gjithë ata janë larguar dhe në skenë tashmë kanë dalë futbollistë të tjerë që do të kërkojnë të shënojnë për skuadrat e tyre për t’i dhënë atyre fitoren.