Starti që Vllanzia i ka bërë këtij edicioni në Superiore, duke krijuar distancë të ndjeshme me ndjekësit, ka qenë thuajse perfekt. Ekipi shkodran, edhe pse nisi edicionin pa pretendieme për kreun, e sheh veten të shkëputur ndjeshëm pas 14 javësh, siç nuk ka ndodhur asnjëherë në dekadën e fundit në elitën e futbollit shqiptar.

Një diferencë prej 9 pikësh nga ekipet e vendit të dytë nuk ishte regjistruar asnjëherë gjatë këtyre 10 viteve pas kaq javëve kampionat, një tjetër sinjal që tregon se sa mirë kanë bërë shkodranët. Por nuk është vetëm diferenca ajo që konfirmon se Vllaznia është pretendente kryesore për titull.

Me 10 fitore, 2 barazime e 2 humbje, Vllaznia ka shkuar në kuotën e 32 pikëve, starti i tretë më i mirë i kësaj dekade në elitën e futbollit shqiptar. Njëlloj ka bërë edhe Teuta e sezonit 2011-2012 që luftonte po në të njëjtën mënyrë për titull.

Një pikë më shumë ka regjistruar Skënderbeu i sezonit 2013-2014,n ndërsa rekordin e dekadës e mban Partizani në sezonin 2015-2016. Në atë vit, pas 14 javëvë te kuqtë kishin 38 pikë, me 12 fitore e 2 barazime, duke lënë pas Skënderbeun që kishte asokohe 34 pikë, por që mbylli edicionin duke fituar titullin kampion.

Këto janë të vetmet skuadra që kanë bërë më shumë pikë se Vllaznia në këtë dekadë pas 14 ndeshjeve të para, duke e bërë edhe më domethënës startin e kuqebluve të Brdariç.

Sigurisht, vetëm Skenderbeu ngriti lart trofeun e kampionit në të gjitha rastet, por Vllazninë duhet ta gëzojë fakti se asnjë prej këtyre ekipeve nuk kishte një diferencë kaq të ndjeshme me ndjekësit. /vipsport/