Kastrioti po bëhet gati për sfidën e së dielës me Besën, takim i cili do të luhet në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku”. Pritet që trajneri Nica të hedhë në fushën e blertë lojtarët që janë më në formë, pasi më herët nuk i ka kursyer kritikat për paraqitjet e dobëta të disa lojtarëve të Kastriotit.

Sipas Nicës, futbollistët nuk janë të angazhuar për rritjen e nivelit të tyre, dhe kjo vërehet jo vetëm te Kastrioti, por te të gjitha ekipet. Shto këtu edhe kushtet e krijuara nga klubet, që lënë shumë për të dëshiruar, si mungesa e fushave, baza materiale për stërvitje, e të tjera.

“Gjatë kësaj jave jemi përgatitur për Besën, por nuk shoh ndonjë impenjim maksimal. Janë krijuar probleme në skuadër dhe është e vështirë për të pasur gjithnjë rritje. Kjo sa i përket anës profesionale, pasi duhen krijuar kushtet për të pasur futbollistë cilësore, të cilët janë me pikatore. Futbollistet nuk punojnë individualisht dhe nuk kërkojnë nga vetja për t’u rritur nga ana profesionale, por janë përshtatur duke u kënaqur me rrogën që marrin dhe rutinën e përditshme të stërvitjes.

Nuk mbajnë një regjim të caktuar, duke qenë jashtë kontrollit si nga familja po ashtu dhe nga ana e klubeve. Theksoj se kjo gjendje është në përgjithësi në futbollin shqiptar. Për drejtuesit, shkallët e boshatisura të stadiumeve duhet të jenë si një kambanë alarmi”, u shpreh Nica për “Panorama Sport”. Duhet theksuar, se krahas këtyre problematikave që trajton trajneri Nica, Kastrioti është ende pa stadium si dhe pa një fushë stërvitore. Prej 7 vitesh endet jashtë qytetit të Krujës.