Mbrojtësi malazez Stefan Cicmil pasi ka mbyllur gjithçka me Vllazninë, tashmë ka gjetur një ekip tjetër. Në sezonin e ri, shtatëlarti 27 vjeçar do të jetë pjesë e ekipit Mlladost të Podgoricës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë lojtarit. Sipas tij, futbollisti që për dy sezone më parë luajti në Shqipëri, tashmë ka rënë dakord të firmosë në vendin e tij, madje në shifra më të larta sesa ka përfituar tek kuqeblutë.

Kujtojmë këtu se në rradhët e Vllaznisë sezonin e fundit nuk bëri një paraqitje të mirë, madje pas ndeshjes në Korçë me Skënderbeun kur shkaktoi një 11-metërsh në minutat shtesë dhe mori karton të kuq duke i dhënë humbjen ekipit të tij, trajneri Cungu nuk e llogariti më në planet e tij. Një vit më parë, pa u rikonfirmuar tek Vllaznia ai pati bisedime edhe me Kukësin dhe ndonjë skuadër tjetër të kampionatit shqiptar por në fund vendosi të qëndronte në Shkodër. Sivjet ndërkohë do të luajë për Mlladost, skuadër që ka investuar shumë në merkaton e kësaj vere teksa përveç Cicmil ka marrë edhe mesfushorin Cetkoviç.
© shkodrasport.com