Ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë është duke u përgatitur për nisjen e gjysmës së dytë të kampionatit. Objektivi padyshim që do të jetë renditja në mes katër ekipeve më të mira. Vajzat janë duke zhvilluar një stërvitje të fortë gjatë kësaj periudhe dhe sipas njërës prej lojtarëve, Stela Kirit, një objektiv i tillë është mëse i arritshëm sepse po punohet shumë në stërvitje për këtë gjë. “Bashkë me trajneren tonë dhe me zëvendëstrajnerin, jemi duke punuar shumë gjatë kësaj periudhë në aspektin fizik dhe mendoj se në fazën e dytë të kampionatit do të paraqitemi më mirë.
Objektivi padyshim që është futja në katërshen e ekipeve më të mira dhe mendoj se do ia dalim”- ka thënë “liberoja” e këtij ekipi. Mosha e re e kësaj volejbolliste sigurisht që e bën atë një nga elementet më të spikatura jo vetëm të këtij ekipi por edhe të kombëtares së moshave por pikësynimi i Kirit është padyshim që shumë shpejt të jetë pjesë edhe e ekipit kombëtar të të rriturave. “Jam e përkushtuar maksimalisht në karrierën time sepse kam objektiva për të shkuar edhe më lart. Padyshim që objektivi është për të kapur ekipin kombëtar me të rriturat dhe për ta arritur këtë, më duhet shumë punë por jam e vendosur për ta arritur këtë gjë”- ka thënë Kiri. Ndeshjet e fazës së dytë të kampionatit nisin në muajin shkurt dhe deri në atë periudhë, ekipi i Vllaznisë do të zhvillojë një stërvitje intensive nën drejtimin e trajneres Sadije Gogaj teksa do të luftojë fort për t’u renditur në mes katër ekipeve më të mira të vendit.
© shkodrasport.com