Të dielën paradite, trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, deklaroi se ishte ende i pavendosur se kush do të luante mes Etrit Berishës dhe Thomas Strakoshës në portën kuqezi në ndeshjet ndaj Turqisë e Andorrës. Të dielën pasdite, Panuçi e ka zgjidhur këtë dualizëm në mënyrën e tij, duke përjashtuar nga grumbullimi portierin e Lacios.

Ky i fundit, pasi luajti me klubin e tij sot, duhej të nisej drejt Shqipërisë menjëherë për t’u paraqitur në grumbullim në orën 19:00. Por ai ka humbur avionin pasi ka mbetur në trafik, moment i kuptueshëm për shumë të tjerë, por jo për Panuçin.

Ky i fundit, i ka bërë të qarët futbollistit se nëse nuk mbërrinte të dielën në darkë në orarin e paracaktuar, atëherë më mirë të mos udhëtonte fare drejt Shqipërisë.

Kësisoj, ai ka llogaritur jashtë grumbullimit Strakoshën dhe ka marrë në vend të tij Gentian Selmanin, i cili ishte nisur për në grumbullim me Shpresat. Një vendim ky shumë i pakuptimtë duke llogaritur se aktualisht Strakosha mbetet portieri që luan rregullisht, ndërsa Berisha ka humbur vendin e titullarit te Atalanta. /vipsport/