Thomas Strakosha do t’i jetë gjithmonë mirënjohës klubit të Lacios, i cili i dha mundësinë për t’u afirmuar në arenën e futbollit të rëndësishëm. Por njëkohësisht, portieri dëshiron që të vlerësohet nga bardhekaltrit për atë që u jep atyre dhe dëshiron që të paguhet në bazë të këtij kontributi. Kjo është arsyeja, sipas mediave përtej Adriatikut, pse rinovimi i kontratës duke u zgjatur nga viti 2022, në vitin 2025, nuk është firmosur ende.
Askush nuk dyshon në aftësitë e portierit, i cili është bërë pjesë e mbrojtjes më të mirë të Serisë A në edicionin e fundit. Për më tepër, ai është përmirësuar në çdo aspekt të lojës, duke u bërë element kyç në organizimin e saj, me 753 pasime të sakta deri tani në kampionat, 200 më shumë se një emër I njohur si Handanoviç.
Pavarësisht zërave për interes nga klubet angleze si Totenhem apo Everton, prioriteti i tij mbetet Lacio dhe italianët janë gati të bëjnë hapin e radhës për të siguruar që ai do të qëndrojë për një kohë të gjatë aty.
Megjithatë, akordi mbetet peng i detajeve financiare. Strakosha fiton 1,2 milionë euro aktualisht dhe Lacio është gati t’i ofrojë 1,5 milionë euro në sezon, me Igli Taren që ka vendosur bonuse të cilat e çojnë këtë shifër në 2 milionë euro.
Por futbollisti mendon se meriton më shumë se kaq dhe dëshiron që rroga bazë të nisë pikërisht nga 2 milionë eurot në sezon, me bonuse të tjera shtesë. Negociatat pritet të vazhdojnë në javët në vijim, por te Lacio duan që të mbyllin sa më shpejt dhe kanë bindjen se Tare, i cili insistoi që Strakosha të bëhej pjesë e klubit që kur ishte adoleshent, do të dijë të zgjidhë këtë problem siç ka bërë më parë me futbollistë të tjerë. /vipsport/