Elseid Hysaj nuk është futbollisti më i shtrenjtë shqiptar. Pas disa viteve radhazi kryesim, sipas “transfermarkt” shkodrani ia ka lënë stafetën portierit Tomas Strakosha.
Mbrojtësi shkodran ishte lojtari kuqezi me vlerësimin më të lartë prej 1 korrikut 2015, ndërsa kartoni i tij kapi vlerën e 4.5 milionë eurove. Prej atij momenti, vlera e Hysaj ka qenë në rritje ndërsa kulmin e arriti në qershorin e 2018 ku kartoni i tij u vlerësua me shifrën 25 milionë euro, shifra më e lartë për një futbollist shqiptar.
Por, në sezonin e fundit, mosaktivizimi si titullar i padiskutueshëm, teksa është edhe në përfundim kontrate me Napolin, ka ndikuar që vlera e shkodranit të bie në 18 milionë euro.
Kështu, stafetën e ka marrë Tomas Strakosha, i cili me paraqitjet e tij ka treguar se është një nga më të mirët në rolin e tij në Serie A. 24-vjeçari, aktualisht vlerësohet me 20 milionë euro
Ndërkohë, renditjen e futbollistëve kuqezinj e pason mbrojtësi Berat Gjimshiti. Lojtari i Atalantës në kampionatin italian vlerësohet me 7.5 milionë euro. Më pas vijnë në kuotë të barabartë të vlerësuar me 3 milionë euro, Berisha, Ndoj, dhe Kumbulla. Të tre futbollistët gjithashtu janë pjesë e Serisë A./VipSport/