Tomas Strakosha po shijon momentin e tij te Lacio, teksa është një titullar i padiskutueshëm dhe elozhet për të, si nga mediat në Itali apo në Evropë nuk kanë munguar. Ditët e fundit, gardiani i portës së kombëtares tonë, ka marrë disa vlerësime të tjera, pikërisht nga shoku i tij i skuadrës, portieri veteran Silvio Proto.

Portieri belg, i cili ka një karrierë të pasur, me disa ndeshje me kombëtaren e Belgjikës dhe me klube si Anderleht, Olimpiakos dhe Lacio së fundmi, ka vlerësuar maksimalisht Strakoshën, duke thënë se nuk ka parë asnjëherë një portier si ai.

Në një intervistë për “sport foot magazine”, 35-vjeçari ka folur në lidhje me Serinë A dhe për lojtarët që e kishin impresionuar, duke thurur elozhe për portierin tonë.

“Vija 3-4 herë në vit në Romë, së bashku me gruan time dhe gjithmonë kam thënë, në rast se më jepet mundësia të luaj me një nga klubet e këtij qyteti nuk do të hezitoja. Kur erdha te Lacio, çdo gjë ishte e qartë që në fillim, pasi do të isha portier i dytë.

Titullar në portën e Lacios është Tomas Strakosha. Nuk kam parë një portier të tillë, aq të fortë dhe me aq shumë cilësi. Shqiptari është i ri, i madh dhe shumë dinamik. I ka të gjitha për të bërë një karrierë të madhe”./sport-ekspres/