Sulmi është i frikshëm, por sekreti i ecurisë pozitive të Brazilit është mbrojtja. Ose më saktë, aftësia për të ndaluar kundërshtarët që të tregojnë potencialin e tyre në repartin e avancuar.

Nga ndeshja në ndeshje ekipi brazilian po avancon dhe po shprehet më mirë në fushën e lojës, duke e justifikuar faktin e të quajturit favorite për titullin.

Dhe ky besim i “Seleçaos” buron nga forca mbrojtëse që ka kjo skuadër, e cila lejon që fantazistët dhe sulmuesit të argëtohen dhe të dhurojnë spektakël përpara.

Në katër ndeshjet e luajtura deri tani, Brazili ka pësuar vetëm 1 gol dhe është një nga mbrojtjet më të mira të kompeticionit, bashkë me Uruguain.

Por, puna për t’u mbrojtur nis që nga lojtarët që nuk janë mbrojtës. Gabriel Zhezus me presionin e tij ndikon që mbrojtësit kundërshtarë ta dërgojnë topin më shpejt dhe të mos kenë alternativa, të cilat mbyllen në mënyrë perfekte nga Nejmar, Uillian, Kutinjo dhe Paulinjo.

Për të shkuar deri në mbrojtjen e Brazilit ka edhe një “digë” që quhet Kasemiro dhe pastaj katërshja Filipe LuisMiranda-Tiago Silva dhe Fagner. “Ne mbrojmë hapësirat dhe jo lojtarët.

Ne kujdesemi që të bllokojmë sa më mirë krosimet dhe goditjet e kundërshtarëve. Logjika është që lojtarët në fillim duhet të shikojnë topin dhe pastaj kundërshtarin.

Kjo është rruga e duhur mendoj unë. Ky është ‘basti’ im, për të cilin kam punuar shumë”, thotë Tite. Por, më shumë sesa forca në mbrojtje, është balanca e skuadrës ajo që e bën portierin Alison të ndihet komod dhe të kalojë pa shumë probleme situatat, edhe pse nuk është në formën e tij më të mirë.

Statistikat- Nga ndeshja e parë deri në të katërtën, Brazili ka pësuar më shumë goditje nga kundërshtarët, por është interesant fakti që në kuadratin e portës shkojnë shumë pak topa.

Goditjet e rivalëve ose shkojnë jashtë, ose bllokohen nga mbrojtësit dhe mesfushorët. Vetëm Zvicra ka arritur që të dërgojë dy topa në portën e “Seleçaos”, ndërsa Zvicra dhe Meksika vetëm 1.

Kosta Rika nuk pati shansin ta vinte në provë portierin e Romës. Tiago Silva dhe Miranda janë një siguri dhe deri tani kanë e kanë treguar këtë gjë.

Sfidë speciale- Të premten në mbrëmje do të jetë prova e vërtetë e Brazilit dhe e djemve të Tites, të cilët do të përballen me sulmin më të mirë të këtij Botërori.

Belgjika e Hazardit, Lukakut dhe Mertensit ka shënuar deri tani 12 gola në këtë kompeticion, duke treguar realisht forcën në repartin e avancuar. Mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mirë. Do të jetë një duel vërtet special dhe spektakolar.

Strategjia- Por, për të siguruar biletën për në çerekfinale kundër Belgjikës, Brazilit iu desh të vinte në skenë një strategji ndryshe për të mos rënë në kurthin e ngritur nga trajneri i Meksikës, Osorio.

Ky i fundit kërkoi ta godiste “Seleçaon” me kundërsulmet e nisura nga goditjet e këndit, por një skemë e tillë u provua vetëm 1 herë. Sepse Tite dhe stafi i tij kuptuan gjithçka, duke marrë një tjetër vendim.

Në zonën e Meksikës nuk do të ishin shumë lojtarë (vetëm 4) dhe mbi të gjitha nuk do të shkonin të dy: Tiago Silva dhe Miranda. Nga pamjet shihet qartazi që kapiteni Tiago Silva, edhe pse është shumë i fortë në lojën e ajrit për të shënuar nga kornet, nuk është fare në zonë sepse në këtë mënyrë ndalonte kundërsulmet e Meksikës.