Skuadra shkodrane vërtetë ka fituar dhe ndodhet tashmë më e qetë në renditje por situata nuk është aspak e mirë. Vllaznia ndodhet në vendin e tetë dhe kësisoj nuk ka arsye që të gëzohen. Një ish- pjestar i kësaj skuadre, pikërisht Suad Lici, në një prononcim të fundit është shfaqur shumë kritik në lidhje me mënyrën e sjelljes së futbollistëve.

Sipas tij nuk po e vlerësojnë siç duhet fanellën e kësaj skuadre që mbajnë të veshur. Ai ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Sport Show” në televizionin TV1 Channel teksa është shprehur: “Vllaznia së fundmi ka nisur të marrë fizionomi sepse është rritur forma fizike dhe performanca e 4-5 lojtarëve kryesorë të saj.Por vërej edhe fenomene që janë aspak të denja për këtë skuadër. Në ndeshjen ndaj Lushnjës dolën tre futbollistë vetëm me portierin kundërshtar dhe Atsina nuk ia pasoi shokëve të ekipit duke humbur një mundësi të mirë për të shënuar dhe për të mbyllur ndeshjen por nuk e bëri këtë. Preferoi të gjuante në kënd 30 gradë dhe e humbi. Unë si spektator çfarë duhet të mendoj? Skuadra duhet të funksionojë në grup dhe kjo është punë e stafit teknik ta bëjë një gjë të tillë, e administratës që drejton. Nuk ka logjikë të mos veprohet në grup dhe të ketë ego se kush do të shënojë. Ne të gjithë themi se skuadra është nën presion psikologjik. Por si çlirohet ajo nga ky presion? Kuptohet duke shënuar gola. U gabua në ndeshjen ndaj Luftëtarit me tre futbollistë vetëm me portierin dhe nuk shënohet nga egoizmi.

Por ky nuk është rast i shkëputur. U përsërit edhe ndaj Luftëtarit. Gjuan Çinari, topi kthehet në zonë dhe aty Hasani më parë preferon të gjuajë në portë sesa të pasojë tek Atsina që ishte i lirshëm. Duhet të jenë më kolektiv sepse nëse arrihet fitorja, ato djem do t’i marrin meritat dhe po ashtu e gjithë Shkodra do të jetë më e kënaqur”. Duket qartë se ish- mbrojtësi i kuqebluve por edhe i kombëtares shqiptare ka pakënaqësi për mënyrën si futbollistët aktualë të Vllaznisë sillen në fushë dhe jashtë saj.
“Unë nuk ndihem mirë kur i shoh këto gjëra sepse kam derdhë djersë gjithë ato vite për Vllazninë dhe s’mund të lejoj kënd me u tallë. Ajo është tallje për mua, mënyra si sillen ato djem në fushë. Për sa kohë punojnë dhe mënyra si e ekzekutojnë një ndeshje futbolli, për mua është tallje. Ato duan të fitojnë lekë pa u lodhë. I kanë të gjitha kushtet me ba 2-3 herë në ditë stërvitje, me ba edhe stërvitje individuale nëse nuk kanë parametrat e duhur fizikë. Për sa kohë që Bashkia po sillet si profesioniste ndaj tyre, edhe ato duhet të sillen si profesionistë në fushë. Duhet të punojnë fort dhe ta shpërblejnë me rezultate këtë gjë dhe jo të luajnë me ndjenjat e njërëzve sepse shumë prej tifozëve gati i lë zemra në stadium.

Ka 4-5 vite që është kjo situatë. Nuk i mungojnë financat, stimujt dhe kushtet dhe përderisa të gjitha këto janë në rregull, unë si ish- sportist kam të drejtë të kërkoj më shumë prej tyre në fushë. Detyra jonë është ta mbështesim skuadrën dhe nëse bëjmë kritika, i bëjmë që ato djem të zgjohen nga gjumi. Por nëse jemi të kënaqur që arritëm dy fitore dhe tashmë duhet të heshtim, ok. Nëse kemi qejf ta kalojmë sërish si vitin e kaluar është punë tjetër. Nuk duhet kurrsesi t’ia lëmë javës së fundit për të diskutuar apo del apo jo nga kategoria”- ka deklaruar Lici. Megjithatë, pavarësisht kritikave që sipas tij shërbejnë për të motivuar këto futbollistë, ai ka dëshirë që t’i japë edhe mbështetje skuadrës në pragndeshjen me Tiranën. “E kam ndjekur Tiranën në dy ndeshje që ka luajtur këtë sezon dhe më ka pëlqyer. Presidenti ka krijuar një skuadër të mirë megjithatë nuk besoj se Vllaznia do ta vërë në diskutim kualifikimin. Së pari, ajo duhet që të mërkurën të marrë një rezultat pozitiv që në Tiranë dhe për këtë, i duhet të shënojë patjetër. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do të jetë më e vështirë por unë gjithsesi besoj tek këta djem, besoj tek trajneri Gjoka se do të dinë ta nderojnë këtë skuadër ashtu si duhet”- ka thënë ai.

© shkodrasport.com