Skuadra shkodrane ka nisur përgatitjet për sfidën e së hënës ndaj Teutës dhe padyshim që rëndësia e saj është e madhe.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, asaj janë duke i qëndruar pranë edhe figura të njohura të klubit dhe një ndër to është edhe Suad Lici.
Ish- mbrojtësi i Vllaznisë ka qenë në Lushnjë ditën e shtunë dhe e ka ndjekur skuadrën e tij të zemrës. Natyrisht që në prononcimin e tij ka vend edhe për ndonjë kritik por nga ana tjetër, është i mendimit se skuadra funksionon.
“Duke u ndalur tek ndeshja e Lushnjës, dua të them se çdo fitore është shumë e rëndësishme.
Aq më tepër kjo e fundit sepse skuadra vinte pas dy humbjesh dhe prandaj nuk duhet t’i ulen meritat asaj për këtë sukses pavarësisht se nga shumëkush mund të jetë konsideruar i lehtë. Kjo fitore i ka dhënë qetësinë Vllaznisë.
Tashmë ekipi ka mundësinë për ta përgatitur më mirë këtë ndeshje. Edhe në renditje ajo është më lart se Teuta dhe ky është një avantazh.
Djemtë e skuadrës shkodrane, me mbështëtjen edhe të publikut, mendoj se do të japin më të mirën në sfidën e rradhës.
Ajo që duhet është vetëm që mos t’i vëmë në presion ata djem sepse unë kam besim se rezultatet do të vijnë.
Unë kam besim se ata do ta zgjidhin si duhet këtë ndeshje. Duhet të shfrytëzojnë edhe gjendjen jo të mirë të Teutës, aq më tepër edhe pas humbjes së saj të fundit ajo do të jetë e goditur psikologjikisht”- ka deklaruar ai.
Padyshim që sfida e rradhës me Teutën është e një rëndësie të veçantë por Lici në fakt ka dëshirë të shkojë edhe pak më tej.
Gjithsesi, ai është i bindur tek suksesi i Vllaznisë, prandaj shton:
“Këto 3-4 javë janë të rëndësishme për Vllazninë sepse më pas do të marrë rrugë gjithçka dhe prandaj ta mbështesim sa më shumë sepse duke marrë rezultate pozitive, të gjithë shkodranët do të jenë më të qetë pastaj sepse ata jetojnë me ecurinë e kësaj skuadre.
Nëse skuadra luan si në pjesën e dytë në Lushnjë, pra do të jetë shumë kompakte dhe duhet të luajë më shumë me krahët.
Po ashtu, edhe dy qendrat e mesfushës duhet të jenë më pranë sulmit. Nëse Sukaj furnizohet si duhet, golat nuk do mungojnë prej tij”.
© shkodrasport.com