Emri i tij është i lidhur ngushtë me Vllazninë, por edhe me Tiranën, dy skuadrat ku ka shkëlqyer në krahun e majtë të mbrojtjes apo edhe më i avancuar në mesfushë. Suad Lici është nga ata lojtarë që nuk harrohen lehtë jo vetëm nga tifozët shkodranë. Inkursionet në krah, krosimet dhe golat e tij janë të ngulitur në memorien e tifozëve të Vllaznisë dhe Tiranës.

Suad Lici ka luajtur në kampionatin shqiptar edhe me Teutën dhe Luftëtarin, ndërkohë që për disa vite ka qenë pjesë e Kombëtares, ku ka luajtur 6 ndeshje. Një përvojë të shkurtër e ka pasur edhe në Azerbajxhan.Teksa sheh Vllazninë aktuale, me trishtim pranon se vlerat e kësaj skuadre nuk janë më të mëdha se sa tregon tabela e renditjes, ndoshta me ndonjë pikë më shumë, por jo një skuadër konkurruese në futbollin shqiptar, si ajo që janë mësuar të shohin tifozët shkodranë.


Në një intervistë enkas për “VIP SPORT”, ish-lojtari i Vllaznisë e vë direkt “gishtin në plagë”, duke lënë dëshirën e madhe për ta parë skuadrën e zemrës sa më lart. Suad Lici e thotë troç: Kjo Vllazni kaq mund të bëjë, nuk është skuadër konkurruese, është skuadër statike, ka problem në mbrojtje dhe në lojën nga krahët. Ja dhe intervista e plotë e Suad Licit:

-Suad, e keni ndjekur nga afër Vllazninë e sezoneve të fundit?
Patjetër që e kam ndjekur, thuajse çdo ndeshje. Ku do të shkojmë, nëse nuk ndjekim Vllazninë…?

-Si ju është dukur skuadra e këtij sezoni?
Nuk shoh një Vllazni konkurruese. Le të flasim pa hipokrizi. Janë 5 sezone ose më shumë që është pothuajse e njëjta Vllazni, që nuk mund të konkurrojë denëjsisht në futbollin shqiptar. Kaq janë mundësitë e kësaj skuadre. Pikët në tabelën e renditjes flasin vetë dhe nuk gënjejnë. Ndoshta Vllaznia mund të kishte disa pikë më shumë në renditje, por jo sa për të qenë konkurruese. Për këtë jam i sigurt, sepse kjo Vllazni ka shumë problem.

-Çfarë problemesh konkretisht?
I mungon cilësia, është e thjeshtë fare. Kjo wshtw kryesorja. Eshtë bërë merkato, por jo në mënyrën e duhur. Janë marrë lojtarë, të cilët nuk vijnë nga një aktivizim i rregullt në kampionatin paraardhës dhe duan kohë të fitojnë gjendjen e duhur fizike. A e dini çfarë do të thotë të kesh disa muaj pa luajtur? Një pjesë e mirë e futbollistëve janë statikë në fushë, nuk kanë lëvizshmëri. E dini si luan Vllaznia? Ma jep, ta jap… Por nuk është ky futbolli, duhet iniciativë, duhen sulme nga krahët. Si do të shkosh te goli pa sulmuar nga krahët, si do ta marrësh rezultatin? Nuk është ky futbolli, ndaj them se kjo Vllazni kaq i ka mundësitë, kaq e ka hapin.

-Megjithatë, në Korçë skuadra sikur dha disa shenja poizitive, por humbi 2-3 raste të pastra…
Vllaznia, për mendimin tim, ka probleme të mëdha në mbrojtje. Të gjithë po flasin për sulmin, por skuadra ka probleme të theksuara edhe në prapavijë. Dakord, nuk arrin të shënosh dhe nuk fiton, por nuk duhet të humbasësh. Mbrojtja dhe mesfusha duhet të jenë të stabilizuara, që Vllaznia të mos humbasë. Vllaznia nuk mban dot rezultatin 0-0 dhe pëson gol, aq më keq akoma kur është në avantazh të 2 golave dhe përsëri nuk e mban rezultatin. Ka diçka që nuk shkon këtu. Janë të njëjtët lojtarë jo vetëm në mbrojtje dhe përderisa rezultatet janë po ato, do të thotë që duhet bërë ndryshimi.

-Iku trajneri Cungu dhe erdhi në stol trajneri Gjoka. Sa mund të ndikojë ndërrimi i trajnerit?
Nuk besoj se është faji i trajnerit, për arsyet që i përmenda më lart. Ky grup futbollistësh kaq e ka takatin. Ndërrimi i trajnerit i jep një implus të ri ekipit, por grupi është po ai dhe të gjithë e kanë treguar se sa mund të arrijnë. Nuk zgjdhen problemet, nëse një lojtar e kalon nga e majta në të djathtë apo nga mesfusha në sulm. Shkurt, nuk është punë trajneri, pasi Cungu ka punuar për dy vjet me këtë grup dhe e di shumë mirë se çfarë mund të bëjë kjo Vllazni.

-Tifozët shkodranë ndërkohë duken gjithmonë e më të paktë. Pse ndodh kjo gjë?
E thashë që në fillim se duhet të flasim pa hipokrizi dhe tifozët e kuptojnë shumë mirë se Vllaznia nuk është ajo që ata presin. Le të shpresojmë, por gjërat duken shehsit. Skuadra nuk ka stabilitet dhe nuk mund të konkourrojë denjësisht në futbollin tonë, ndaj dhe tifozët nuk janë më si më parë. Ata nuk shohin më atë cilësi prej vitesh, nuk shohin dyluftime, nuk shohin një skuadër me gjak.


-Ka zëra për rikthimin e ish-presidentit Fushaj, por edhe të biznesmenit tjetër Amuli…
Do të ishte diçka e mirë që Vllaznia të ketë një president, të kalojë në dorë të privatit. Në fakt, i rikthehem asaj që kam thënë që në fillim, se situata nuk do ndryshojë sa kohë do të jetë i njëjti grup, sepse edhe me bashkinë skuadra është paguar rregullisht. Paratë janë njësoj, si të privatit, ashtu edhe të bashkisë. Por, nëse Vllaznia do të ketë një president, gjërat do të jenë ndryshe në drejtime të tjera. E shohim të gjithë se çfarë ndodh te skuadrat e tjera, që janë me president. Futbollistët nuk i fal askush, sepse i paguan një më një.

-Kalojmë te Tirana, ku ju keni luajtur disa sezone. Çfarë do të thoshit për këtë skuadër?
Rënia e Tiranës ishte e dhimbshme, por shoh që i kanë marrë gjërat seriozisht dhe uroj të kthehet sa më parë në Superiore. Shoh që po punohet mirë aktualisht.

-Suad, a mendoni se një ditë tifozët e Tiranës do të shohin sërish një skuadër si ajo e juaja dhe e Mukës, Fortuzit e të tjerëve?
(Qesh). Nuk e besoj tani për tani. Shoh që Skënderbeu është forcuar shumë dhe e ka kthyer futbollin në një biznes të mirëfilltë. Po investon vit pas viti bashkë me Kukësin, ndaj dhe janë në krye të futbollit shqiptar .

-Vllaznia dhe Tirana ndeshen mes tyre në Kupën e Shqipërisë. Çfarë parashikoni?
Vetëm për këtë gjë mos më kërkoni të flas.