Vllaznia në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit fitoi edhe një 11-metërsh dhe atë mori përsipër ta gjuante kapiteni Lika i cili goditi traversën duke mos e dërguar topin në rrjetë.

Në fakt para gjuajtjes së tij, tifozët në tribunën qendrore të stadiumit “Loro Boriçi” kanë thërritur emrin e Sukajt për ta gjuajtur ai këtë 11-metërsh por vetë sulmuesi u ka kërkuar të qetësohen sepse atë do ta gjuante Lika.

Mbase është krijuar ideja e ndonjë përzitje të sulmuesit për këtë gjë por ai e ka mohuar në mëyrë kategorike këtë gjë pas ndeshjes duke u shprehur:

“S’kishte rëndësi hiç se kush do ta gjuante. E rëndësishme ishte që e morëm atë 11-metërsh, fatkeqësi që e humbëm sepse fitorja do të ishte edhe më e thellë. Nuk ka asnjë pakënaqësi në këtë mes, gjithçka ishte me mirëkuptim”.

Ndërkohë e njëjta pyetje i është bërë edhe trajnerit Gjoka, madje në momentin e zëvendësimit të Sukajt, ai është parë të diskutojë për 2-3 sekonda në pistë me të.

Kjo ka krijuar idenë tek ndonjë gazeta se sulmuesi kishte pakënaqësi për mosgjuajtjen e 11-metërshit.

Por tekniku i kuqebluve mbase edhe i indinjuar disi nga një hipotezë e tillë, ka sqaruar: “Vetëm ju e paskeni parë Sukajn e tensionuar, askush tjetër.

Ne nuk kemi kësilloj problemesh në skuadër. Penalltinë në letër e gjuan gjithmonë Sukaj, ta dini këtë.

Këtë herë i dhamë një mundësi kapitenit për të dalë tek goli. Por nuk ka kësi problemesh në skuadër.

Ju lutem mos kërkoni të gërmoni për të gjetur probleme në skuadër se nuk ka. Po të doni t’i gjeni, gjeni atëherë. Unë sërish them se nuk ka”.
© shkodrasport.com