Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj e ka patur këmbën e mbarë në debutimin e tij me skuadrën iraniane të Sepahanit. Ndonëse nuk ka shënuar, ai ka dhënë kontributin e tij në fitoren shumë të rëndësishme që Sepahan ka arritur jashtë fushe me skuadrën e Damash Gilan me rezultatin 1-0. Goli i fitores është shënuar pikërisht në minutën e 90-të pas një goditje këndi dhe me këtë fitore, Sepahan tashmë është ngjitur në vendin e parë të renditjes. Sukaj është futuar në lojë në fillimin e pjesës së dytë dhe nuk ka zhgënjyer. Ai ka qenë një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare ndërkohë që në fund të ndeshjes, gëzimi ka qenë shumë i madh për gjithë futbollistët dhe trajnerin kroat Kranjçar.

Duke folur për këtë ndeshje, Sukaj ekskluzivisht për gazetën online shkodrasport.com, do të shprehej:”Unë si gjithnjë e kisha këmbën e mbarë edhe për skuadrën time të re Sepahan. Sa luajta unë, menjëherë në vend të parë. Shpresoj që shumë shpejt të jem edhe titullar dhe lider i kësaj skuadre. Fillimi është i mbarë dhe duhet të vazhdoj në këtë mënyrë. Në skuadër ka shumë entuziasëm tashmë dhe kemi shpresa të mëdha për titullin kampion. Jemi ngjitur në vend të parë dhe besoj se nuk do lëshojmë më”. Interesant është fakti se edhe Sukaj, ashtu si Vajushi në Bullgari, ka zgjedhur numrin 14 të luajë me të. Koinçidencë apo dëshirë e lojtarit? E rëndësishme është që ai të luajë dhe të tregojë vlerat e tij edhe në Iran.

www.shkodrasport.com