Vllaznia humbi me Kukësin në stadiumin “Zeqir Ymeri” me rezultatin 2-0. Ekipi shkodran nuk zhvilloi një nga ndeshjet më të mira, por u dëmtuar dhe nga gjykimi i arbitrit Eldorian Hamiti.

Protagonisti kryesor i kuqebluve ishte Xhevahir Sukaj. Sulmuesi shkodran pati një rast shumë të diskutueshëm me mbrojtësin e verilindorëve, Albi Allën dhe u ndëshkua dhe me karton të kuq.

Në një prononcim për Eduasportin.com, Sukaj flet për gjykimin e Eldorian Hamitit, por dhe aleancat në futbollin shqiptar.

“Ne jemi lodhur duke folur për gjyqtarët.

E njëjta situatë dhe në Kukës. Më merrni dhe më thoni të flas. Çfarë të them? E pa e gjithë Shqipëria sjelljen e arbitrit kundër nesh. Nuk po flas vetëm për rastin e penalltisë, por dhe tendencën për të na nxjerrë kartona të verdhë”, – u shpreh fillimisht Sukaj.

Ai shkon dhe më tej duke folur për ndeshjen kundër Skënderbeut. Shkodranët do të presion korçarët në një sfidë shumë të fortë. “Më vjen keq që nuk do të jem me Skënderbeun dhe i kërkoj falje ekipit. Nuk mendoj se e ekzagjerova me sjelljen time.

Unë dua të ndihmoj gjithmonë skuadrën dhe jap 100 % për të, prandaj erdhi dhe ai veprim. Në atë moment nuk e mendova se po bëja faull teknik, thjesht nga dëshira për të shënuar”.

Sulmuesi foli dhe në lidhje me aleancat e lidhura në kampionatin shqiptar, por përgjigjja e tij është me “spec”, pasi e lidh direkt me deklaratën e Kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziut.

“Aleancat? Nuk dua të flas për ta, përderisa nuk kemi vetë si klub, nuk më takon të flas. Dikush mbase di më tepër, dëgjova deklaratën e Xhelal Mziut. U habita, shpresoj të mos jetë e vërtetë”, – u shpreh Sukaj. /EDS/