Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj pritet të firmosë në Iran me një skuadër të këtij kampionati. Bëhet fjalë për Sepahan, ekipin që mban vendin e tretë në kampionat me 33 pikë pas 17 ndeshjesh të luajtura. Në fakt ka kohë që flitet për një mundësi lëvizje të këtij futbollisti drejt këtij vendi por udhëtimi thuhet të jetë bërë ditën e djeshme. Sulmuesi 24 vjeçar ka marrë fillimisht rrugën drejt Turqisë dhe më pas drejt Iranit. Të dhënat e para bëjnë fjalë për një kontratë shumë të mirë të këtij futbollisti megjithatë shuma që do përfitojë nuk bëhet e ditur për momentin.

Klubi iranian sigurisht që do paguajë edhe shumën e 50 mijë eurove që kërkon klubi Vllaznia për ta lënë të lirë këtë lojtar. Në fakt në adresë të tij ditët e fundit kanë ardhur edhe oferta të tjera teksa në kampionatin shqiptar, Skënderbeu e Flamurtari ishin gati ta merrnin por nuk paguanin kartonin tek klubi shkodran. Një mundësi ishte edhe lëvizja drejt kampionatit maltez por edhe në këtë rast sërish pengesë ishte shuma që kërkonte Vllaznia. Sukaj është një futbollist me cilësi shumë të mira por nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në një ekip. Tek kuqeblutë ai pati probleme me drejtuesit që pas ndeshjes me Skënderbeun e pezulluan për katër muaj por tashmë ata janë të gatshëm ta lënë të largohet për të mos i prishur karrierën me kusht që të paguajë në klub dëmshpërblimin që ka të shkruar në kontratë. Dhe klubi Sepahan i Iranit duket se do ta marrë përsipër pagesën e kësaj shume prej 50 mkijë eurosh vetëm e vetëm që ta ketë në skuadër këtë lojtar.

www.shkodrasport.com