Xhevahir Sukajn e mundon shumë një titull kampion me Vllazninë. Ka fituar me skuadrën e qytetit të tij një Kupë të Shqipërisë, ka kaluar tre vite nga një tur në Kupat e Europës megjithatë, ende nuk ka arritur të shpallet kampion. E ka bërë këtë gjë në Elbasan kur ishte vetëm 17 vjeç por ajo nuk e ka shijuar shumë. E dëshiron shumë një titull kampion në Shkodër. Në këtë qytet ku tifozët po ëndërrojnë prej 11 vitesh një gjë të tillë. Nga Irani i largët, ai ndjek çdo ditë lajmet që mbërrijnë nga Shkodra. Kryesisht përmes gazetës tonë online www.shkodrasport.com. Pikërisht, në lidhje me zhvillimet e fundit, ai do thoshte: “Kam lexuar për kontratat e firmosura edhe me Hajdarin e Gocajn. Kjo është shumë pozitive të fillosh ndërtimin e skuadrës që tani. Kthimi i disa futbollistëve shkodranë që luajnë me skuadrat e tjera do ishte shumë pozitiv sepse janë lojtarë me vlera. Kam folur edhe me Vajushin. Edhe ai është gati të kthehet. Edhe disa të tjerë janë të gatshëm të vijnë. Secili prej nesh e dëshiron një Vllazni kampione. Shkodra dhe shkodranët e meritojnë këtë gjë”.
Por a kthehet edhe Sukaj vetë? Përgjigja e tij është pozitive prandaj thotë: “Nqs vërtetë drejtuesit duan të bëjnë ekip pretendent, e kam thënë edhe më parë, po e them edhe tani, kthehem edhe unë. Kam një pengesë nga klubi aktual i Sepahanit megjithatë në kontratën time ka edhe një pikë të saj ku thuhet se mund të paguajë 34 mijë dollarë si dëmshpërblim dhe menjëherë kam të drejtë të largohem. Madje, kjo gjë është për të gjithë futbollistët. Drejtuesit e Vllaznisë në fillim të nëntorit kur isha në bisedime me ta para se të prishesha, më patën ofruar një kontratë shumë të mirë. Nëse e rrisin edhe pak atë, jam gati ta paguajë unë dëshmpërblimin tek klubi iranian dhe të kthehem tek Vllaznia. E bëj këtë vetëm se kjo skuadër më mungon dhe dua të dal kampion me të. Tek Sepahani nuk më mungon asgjë, jemi në vend të parë në kampionatin iranian, jemi në vend të parë në grup në Champions Leaguen e Azisë, po luaj, paguhem mirë dhe kuptohet që këto mjaftojnë për një futbollist. Por unë e dua Vllazninë dhe dua të shpallem kampion me të, prandaj nëse më ofrojnë një kontratë të mirë drejtuesat e saj, jam gati të kthehem”. Por a mund të bëjë Vllaznia vërtetë një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm? Xhevahir mendon që po dhe thotë: “Mundësitë për ta bërë këtë gjë janë. Bashkia ka dëshira, tifozat e dëshirojnë shumë një gjë të tillë dhe nëse krijojmë vërtetë një ekip të mirë, do t’i kemi të shumtë në stadium. Në Shkodër titulli nuk mund të jetë më një “ëndërr në sirtar”. Tashmë të gjithë duhet të punojmë për ta bërë realitet”.
www.shkodrasport.com