Nganjëherë mund të mos merren si të vërteta ato çfarë shkruhen në këtë rrjet social por kur sipër ka një emër dhe për më tepër shumë komente prej tij, edhe i duhet besuar. Xhevahir Sukaj ka dalë hapur kundër Bashkisë dje në faqen e tij në “Facebook”. “Bashkia nuk paguan rrogat. Vetëm fjalë dhe premtime boshe. Çdo muaj merren rrogat jo të plota. Turp i madh për Shkodrën”.

Kaq ka mjaftuar dhe më pas kanë nisur shumë komente nga fansat e tij. Sukaj është shprehur sërish për atë çfarë po ndodh tek Vllaznia. Flitet për vonesa në rroga, për rroga të padhëna për ndonjë prej futbollistëve prej disa muajsh e për shumë gjëra të tjera. Në fakt, dihet që rrogat e tetorit do merren me 30 për qind gjobë për shkak të paraqitjeve të dobëta në ndeshjen e fundit, vendim që u pat dhënë në momentin kur u largua edhe Josa. Por nga ana tjetër, disa futbollistë kuqeblu kanë shprehur hapur pakënaqësinë për ndalesën e taksave brenda pagesave që ishin miratuar në fillim. U deklarua nga drejtuesit e Bashkisë se taksat e rrogave do mbuloheshin nga ajo me një fond shtesë por nuk ka ndodhur kështu. Sukaj ka reaguar dje i pari. Ndonëse jo zyrtarisht megjithatë përmes faqes së tij në rrjetin social. Pakënaqësitë kanë dalë sheshit hapur madje ai ka arritur deri aty sa ka thënë se “nuk kam dashur të luaj ndaj Bylisit por e kam bërë këtë gjë vetëm për hatër të trajnerit Vata”. Drejtuesit e klubit në këtë mënyrë tashmë kanë një çështje më shumë për të diskutuar. Këto pretendime të lojtarit duket se vijnë ngaqë në adresë të tij thuhet se ka ardhur një ofertë nga ekipi i Flamurtarit.