Barazimi 2-2 i Shqipërisë kundër Andorës ka ngjallur shumë reagime në vend. Të shumtë janë ata që kanë kritikuar kuqezinjtë për mosimpenjtim në këtë sfidë delikate. Ndërsa ka edhe të tjerë që i mbështesin siç është Xhevahir Sukaj.

Sulmuesi shkodran i Flamurtarit krenohet me lojtarët e Kombëtares teksa në një postim në rrjetet sociale shkruan: “Kur ekipi i vendit tënd përfaqëson në çdo kompeticion dhe kundër çdo kundërshtari krenon çdo qytetar, me çfarëdo lloj rezultati qoftë.

Këta që zhvlerësojnë ekipin kombëtar kur ekipi nuk fiton, po këta zbehin dhe kur fitojmë. Krenar për të gjithë ata që na përfaqësojnë“, raporton newsport.al

Ndërkohë në sy bie komenti ironizues i Idi Bathës, mesfushorit që mbron ngjyrat e Tiranës. “Xhevo, të kanë vjedh Instagramin“, shkruan 27-vjeçari duke lënë të nënkuptohet se nuk është dakord me qëndrimin e shkodranit.