Mund të jetë e vërtetë sepse në fund të fundit e thotë vetë ai. Xhevahir Sukaj është penguar nga ngërçi që e ka kapur në këmbë pikërisht në momentin para se të gjuajë topin drejt portës në minutën e 91-të atëherë kur të gjithë menduan se ai do shënonte dhe do t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Por numri 10 i Vllaznisë duket se nuk ka ndër mend të shënojë gola “të lehtë”.
Ai dëshiron të shënojë vetëm gola si ai i minutës së 50-të në ndeshjen ndaj Tiranës kur shënoi nga rreth 40 metra. I pyetur në lidhje me rastin e humbur, Sukaj është përgjigjur: “Të them të drejtën do më mbesë gjatë në mendje ai rast. Në momentin e fundit, si rrjedhojë e sprintit të shpejtë por edhe lodhjes së madhe, më ka kapur ngërçi në momentin që kam gjuajtur topin. Siç mund ta shikoni edhe në pamjet filmike, topin e kam goditur shumë lehtë sepse nuk kisha forcë t’i bija më shumë. Më vjen shumë keq që nuk shënova sepse një fitore në këtë ndeshje do ishte një gjë e mirë për të ardhmen tonë por kështu e ka futbolli”.