Vllaznia do të presë Kamzën të mërkurën në sfidën e radhës në kampionat. Të dy ekipet janë në “luftë” për mbijetesë.
Kamza gjendet 2 pikë më shumë se Vllaznia në renditje, ndaj kjo përballje konsiderohet shumë e rëndësishme për të dyja kampet.
Në një intervistë për RTSH, Sukaj shprehet se Vllaznia do t’ia dalë mbanë për të marrë tri pikët.
“Është një ndeshje shumë e vështirë. Ne po e përgatitim maksimalisht. Ne jemi të mobilizuar dhe rezultati (barazimi) i marrë në Vlorë ndaj Flamurtarit na jep moral.
Besoj se do t’ia dalim, pasi kemi detyrim ndaj Shkodrës. Ndaj Kamzës është një ndeshje jetike”, tha Sukaj, i cili pranoi gjithashtu se do të jetë gati për takimin kundër Kamzës.
“Po, jam gati të luaj që nga minuta e parë. Të gjithë lojtarët e Vllaznisë janë gati, pasi nuk kemi asnjë mungesë”, deklaroi sulmuesi i Vllaznisë.
Për sa i përket rivalitetit me sulmuesin tjetër të Vllaznisë, Andi Ribajn, Sukaj shprehet: “Edhe kur je në stol stërvitesh për të kapur formacionin, por edhe kur je titullar, stërvitesh për ta mbajtur atë.
Ribaj është profesionist dhe këtë e ka treguar gjithnjë këtu te Vllaznia, pasi ka qenë i gatshëm për ekipin në çdo rast.
Këto janë gjëra pozitive që i shkërbejnë skuadrës.
Kalendari? Pas Kamzës luajmë në transfertë kundër Partizanit, presim Kukësin dhe në fund udhëtojmë drejt Korçës për të luajtuar me Skënderbeun.
Është një short i vështirë. Jemi të rrezikuar dhe kërkojmë mbështetje edhe nga tifozët e Vllaznisë.
Shpresoj dhe besoj se edhe tifozët kanë një detyrim për të ardhur dhe për të ndihmuar ekipin.
Por edhe ne nuk është se ia kemi bërë shumë vendin vetes për t’i thirrur në stadium.
Megjithatë ka ardhur koha që të mblidhemi bashkë për të shpëtuar Vllazninë”, përfundoi sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj në intervistën e tij për RTSH./Vipsport.al/