Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka shënuar në fillim të kësaj jave gol për Sepahanin në Iran dhe menjëherë pas kësaj ndeshje të fundit, ka shfrytëzuar një pushim disaditor për të ardhur në Shkodër pranë familjes së tij. Duke qëndruar pranë saj, sigurisht që sulmuesi 25 vjeçar nuk mund tq qëndronte larg Vllaznisë dhe prandaj menjëherë ka nxituar të takojë drejtuesit e saj dhe po ashtu edhe disa nga shokët e ekipit. Madje këto dy ditë ai do stërvitet me kuqeblutë për të ruajtur formën fizike ngaqë në fillim të javës së ardhshme, do të kthehet sërish në Iran. Duke qenë në Shkodër dhe në kushtet kur Vllaznisë po I mungon njeriu- gol, sigurisht që të gjithë I kthejnë sytë nga ai. Pyetja që lind menjëherë është:

“A do kthehet Sukaj të luajë në janar me kuqeblutë”? kësaj pyetje për momentin askush nuk mund t’I japë një përgjigje të saktë. Lojtari ka ende kontratë me Sepahanin dhe iranianët vështirë ta lëshojnë duke qenë se është golashënuesi më I mirë I tyre. Megjithatë Sukaj asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u kthyer një ditë dhe për të fituar një titull kampion me Vllazninë, titull ky që I mungon shumë atij. I pyetur pikërisht për këtë gjë, Sukajt shkurtimisht ka thënë këto fjalë për “Shkodra Sport”  pasditen e djeshme: “Unë kam ardhur të qëndroj për pak ditë pranë familjes meqë kisha pushim me skuadrën time. Kuptohet që sa herë që vij në Shkodër, të gjithë më pyesin kur do kthehem tek Vllaznia. Në fakt unë këtu isha deri në janar të këtij viti dhe më detyruan të largohem megjithatë e kam peng të madh të kthehem një ditë dhe të fitoj titullin kampion me skuadrën time të zemrës. Këtë dëshirë ma kanë shprehur edhe drejtues të klubit shkodran por ka shumë gjëra për t’u diskutuar. Mbase pas disa kohësh do diskutojmë sërish për këtë çështje sepse e përsëris, kam shumë dëshirë të kthehem tek Vllaznia dhe ta ndihmoj atë për t’u shpallur kampione. Megjithatë do shohim në vazhdim se çfarë do ndodhë në vazhdim”. Dëshirën për marrjen e këtij lojtari sigurisht që e ka shprehur edhe drejtori sportiv I klubit shkodran  Armir Grima. Ai është një nga miqtë më të mirë të sulmuesit që në periudhën kur të dy kanë qenë futbollistë. I pyetur pikërisht për këtë lojtar, ish-portieri I njohur do të shprehej: “Në fakt në këto momente as që e kemi mendjen tek merkatoja. Nuk kemi bërë asnjë plan se cilët lojtarë do marrim ende apo nëse do marrim. Por kur bëhet fjalë për Sukajn, është çështje tjetër. Ai ka dalë nga Vllaznia, është pjesë e saj dhe kuptohet që të gjithë ne I dimë vlerat  e tij. Nëse do ta kishim patur në skuadër në këtë sezon, me siguri që sot do kishim disa pikë më tepër në renditje. Megjithatë, nëse bëhet gjë në janar, sërish do ishte shumë positive sepse ne do mbyllnim të gjitha problemet që kemi në sulm dhe do ishim sigurisht shumë më të fortë. E përsëris, është herët të flasim për këtë gjë pavarësisht dëshirës së dy palëve për t’u realizuar kjo gjë. Edhe Sukaj nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer tek Vllaznia por edhe ne si drejtues do ta lakmonim gjithmonë një lojtar të tillë në skuadër. Por gjithsesi se çfarë do ndodhë, kjo mbetet për t’u parë në vazhdim”.
Gjergj KOLA