Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vërtetë mendon të kthehet tek Vllaznia nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet megjithatë ai dy ditët e fundit mësohet se ka marrë oferta shumë të rëndësishme nga skuadra të tjera të kampionatit shqiptar. Siç raporton www.telesport.al, e para që i ka telefonuar ka qenë skuadra kampione, ajo e Skënderbeut. Mësohet se ka qenë trajneri i saj Mirel Josa, ai që i ka kërkuar të luajë për korçarët. Raportet e Josës me të janë shumë të mira që nga periudha kur të dy ata kanë punuar sëbashku tek Vllaznia dhe kuptohet që mungesa e një sulmuesi cilësor ka qenë evidente për Skënderbeun në sezonin e fundit. Në rrethana të tilla, Sukaj do ishte zgjidhja perfekte e tij për plotësuar repartin e sulmit.
Shkodrani 27 vjeçar megjithatë nuk i ka kthyer ende përgjigje pozitive sepse nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë në karrierën e tij: të vazhdojë të luajë në Iran apo të kërkojë ekip tjetër. Por ndërkohë, gjatë qëndrimit pranë familjes së tij në Shkodër, ai ka patur një tjetër telefonatë. Këtë herë nga Flamurtari i Vlorës dhe njeriu i cili e ka telefonuar ka qenë portieri Ilion Lika që po bën edhe rolin e menaxherit të kësaj skuadre kohët e fundit. Edhe nga Flamurtari mësohet se oferta ka qenë shumë e lartë, madje më e lartë se ajo e Skënderbeut megjithatë Sukaj nuk i ka kthyer përgjigje pozitive as atij. Duket se edhe për disa kohë, ai nuk e ka ndër mend të vendosë. Ndoshta pret Vllazninë, ndoshta po studion tregun.Ai duket se pas aventurës në Iran, ku u shpall kampion, kërkon të rikthehet. Dhe në deklaratën e fundit dhënë për mediet ai u shpreh se do të luante edhe me një kontratë modeste me Vllazninë, por gjithnjë nëse kuqeblutë do të kishin synime madhore në sezonin e ri. Ofertat e fundit duket se e kanë tunduar jo pak sulmuesin shkodran, të shohim se cilin ekip do të zgjedhë…
© shkodrasport.com