Ditën e sotme në median e shkruar ka patur një deklaratë të presidentit të Vllaznisë Agron Çela që deklaronte se kishte ndër mend të sillte në Shkodër për sezonin e ardhshëm tre prej futbollistëve të dalë nga rradhët e saj e që luajnë aktualisht në shtete të ndryshme. Bëhej fjalë për Xhevahir Sukajn, Bekim Balën dhe Armando Vajushin. Madje, përveç tyre ndoshta edhe Edon Hasanin. Një lajm i tillë në fakt nuk është pritur me shumë entuziasëm në ambjentin sportiv shkodran sepse njerëzit prej vitesh janë mësuar me të tilla deklarata dhe në fakt kur vjen puna tek merkatoja, shumë pak bëhet për t’i konkretizuar këto premtime. I kontaktuar në lidhje me këtë deklaratë, njëri prej këtyre futbollistëve, pikërisht Xhevahir Sukaj që luan në Iranin e largët me Sepahanin, është shprehur kështu për gazetën online www.shkodrasport.com:

“Personalisht nuk jam në dijeni të asaj çfare mundtë jetë shprehur presidenti aktual i Vllaznisë Çela. Nga sa po më thoni, ekziston një ide për kthimin tim, të Balës, Vajushit, Hasanit e ndonjë tjetër. Di të them se nëse drejtuesit e Vllaznisë sakrifikojnë pak nga ana financiare, jam gati të sakrifikoj edhe unë. Që do të thotë se nëse vijnë këta futbollistët e tjerë, do jem edhe unë tek Vllaznia sezonin e ardhshëm. Kjo do ishte një sakrificë e madhe por do ta bëja me kënaqësi nëse do ndërtonim një ekip pretendent për titullin kampion. Kam dhënë prova se e bëj këtë gjë kur vite më parë lashë Gençlerbirliginë në Turqi ku paguhesha 30 mijë euro në muaj për t’u paguar 3 mijë euro tek Vllaznia. E bëj sërish, nëse siç thashë më lart, edhe drejtuesit e klubit sakrifikojnë për të ndërtuar një ekip me të vërtetë pretendent dhe jo me fjalë”.

Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)