Ridel në skenë futbollisti shkodran Xhevahir Sukaj. Në statusin e tij në facebook pasditen e sotme shkruhet: “Vllaznia pa Sukajn, 4 ndeshje- 3 pikë. Dështim i stafit drejtues”. Kaq, si për të thënë se ai është sërish aty. Duke ndjekur Vllazninë dhe duke pritur kthesën e saj pas largimit të tij nga skuadra, por kjo kthesë nuk po vjen. Në komentet që kanë vijuar në faqen e Sukajt, dikush e pyet atë: “Të bvëhet qejfi?”. Ai thotë “jo” dhe si për t’i treguar të gjithëve se e do Vllazninë më shumë se shumëkush tjetër, shton: “Kam pasë me marr nga 70 mijë euro në ekipe të tjera shqiptare dhe kam pranuar të qëndroj në Shkodër me gjysmën e kësaj shume sepse e dua Vllazninë.
Duhet ta dinë të gjithë, se shumë pak vetë kanë dhanë aq sa Sukaj për këtë skuadër dhe për atë fanellë. Por shumë shpejt kanë për të dalë gjanat e brendshme dhe keni për të më dhanë të drejtë”-ka shkruar Xhevahir Sukajn në faqen e tij në “facebook”. Realiteti është që Vllaznia pas largimit të Sukajt po shfaq jo pak probleme edhe në repartin e sulmit. Njëherë provohet Gjini, pastaj Erkoçeviç e Hajdari. Mungesa edhe e Vajushit i prish të gjitha pastaj sepse forca e skuadrës bie shumë. Xhevahir Sukaj duket se në janar do kalojë tek Skënderbeu sepse presidenti i kësaj skuadre Agim Zeqo e ka shprehur hapur dëshirën e tij për ta patur në skuadër.
www.shkodrasport.com