Solidaritet shokësh. Kështu mund të cilësohet ajo çfarë duan të bëjnë tre ish-futbollistë të Vllaznisë. Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi dhe Ndriçim Shtubina, janë çuditur kur kanë mësuar nga faqja e shkodrasport.com se klubi Vllaznia ka gjobitur me 50 për qind të rrogës mujorë mbrojtësin Arsen Sykaj për një deklaratë në media.Një gjë shumë interesante kjo edhe për të shpjeguar sa të lidhur janë futbollistët shkodranë me njëri-tjetrin. I pari që e ka propozuar këtë gjë ka qenë Vajushi i cili në komentet e tij në faqen tonë ka thënë:
“Atë gjobë që i kanë vënë Sykajt, ia paguajmë ne, unë, xhevoja dhe Çimi”-thoshte ai në komentin e tij. Ka pasur Sukaj kur ka thënë: “Shkruajeni, shkodranët e diasporës, nga Vlora në Liteks dhe deri në Iran, dalin e mbledhin fonde për të paguar gjobën e Sukajt”. Ironia e lojtarëve ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se meqë Bashkia nuk ka para dhe prandaj vë gjoba, po ja paguajnë ata lekët që kanë dashur t’ia ndalojnë mbrojtësit 22 vjeçar vetëm se deklaroi në media që dëshiron të largohet nëse stafi nuk e ka në planet e tij.Në këtë mënyrë, tashmë pritet të shohim nëse vërtetë treshja e mësipërme, do t’ia paguajë apo jo gjobën Sykajt. E rëndësishme është që ata janë solidarizuar me të dhe kanë dalë kundër ish-klubit të tyre për një veprim të tillë, për një nga lojtarët më të mirë të skuadrës dhe që paguhet ndoshta ndër më të paktit nga të gjithë.
www.shkodrasport.com