Një paraqitje e shkëlqyer e boksierëve të kombëtares sonë në ndeshjet finale të Memorialit të 10-të Ndërkombëtar “Vllaznia 2013”. Tre prej boksierëve të saj dhe pikërisht Taulant Zajmi, Rexhildo Zeneli dhe Kristian Demaj, kanë arritur të fitojnë ndaj kundërshtarëve të tyre dhe të meritojnë medaljet e arta në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm ku morën pjesë boksierë nga 11 shtete të botës. Një ecuri e shkëlqyeshme kur ke parasysh se në finale boksierët tanë kanë patur përballë boksierë të kalibrit europian dhe botëror.
Në një atmosferë të shkëlqyer sportive në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, të mbushur si rrallë herë me sportdashës, kanë nisur kësisoj në orën 18.00 ndeshjet e ditës së tretë të këtij Memoriali, ndeshjet finale. I pari që ka dalë në ring ka qenë boksieri Taulant Zajmi i cili ka fituar ndaj rusit Chebochakov. Kjo fitore e tij i hapi rrugë një tjetër fitore të boksierëve tanë pikërisht Rexhildo Zenelit që në finalen e peshës 59 kg ka bërë një paraqitje të shkëlqyer ndaj rusit Tigran të cilin e ka mundur pastër. Ndërkohë, në finalen e peshës 64 kg, shkodrani Kristian Shytani është ndeshur me rusrin Zakaryan dhe ndeshja ka qenë me shumë rivalitet e këtë e tregon më së miri edhe rezultati përfundimtar i saj, 10-9 në favor të rusit. Ka humbur finalen e peshës 69 kg edhe Xhulio Vrenozi ndaj australianit Leëis ndërkohë që në finalen e peshës 81 kg, kemi parë një ballafaqim shumë të fortë të Kristian Demës me bullgarin Pantaleev. Ndeshja e fundit për boksierët tanë ka qenë ajo në peshën super të rëndë, e Nelson Hysës ndaj malazezit Marko Radonjiç. Ballafaqimi ka qenë i fortë por në fund ka triumfuar malazezi dhe kjo ka sjellë pakënaqësi tek Hysa megjithatë vendimi ka qenë i prerë. Në këtë mënyrë është mbyllur ky aktivitet teksa në fund të tij, përveç tre medaljeve të arta për boksierët tanë ka ardhur edhe kupa e sportistit më të mirë të Memorialit që ka shkuar për shkodranin Kristian Demaj. Ndërkohë Rusia ka fituar kupën e ekipit më të mirë ndonëse mori po aq medalje të arta sa Shqipëria- tre, por ka patur një boksierë më tepër në finale. Në këtë mënyrë, Memoriali i 10-të “Vllaznia 2013” është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme duke treguar edhe njëherë tjetër se Shkodra di të organizojë të tilla veprimtari në mënyrë të shkëlqyer.
Finalet
49 kg
Taulant Zajmi (Shqipëria)– Valentin Chebochakov (Rusi) 17-15
52 kg
Mukhammaed Shekhov (Rusi)- Aleksandar Aleksandrov (Bullgari) 5-10
56 kg
Rexhildo Zeneli (Shqipëri)– Uzylan Tigran (Rusi) 12-9
60 kg
Elian Dimitrov (Bullgari)- Dmitry Polyanskiy (Rusi) 10-12
64 kg
Armen Zakaryan (Rusi)– Kristian Shytani (Shqipëri) 10-9
69 kg
Daniel Lewis (Australi)– Xhulio Vrenozi (Shqipëri) tre faulla të Vrenozit
75 kg
Maxim Gazizov (Rusi)– Giuseppe Ranno (Itali) tërheqje italianit
81 kg
Kristian Demaj (Shqipëri)– Radoslav Pantaleev (Bullgaria) 13-9
91 kg
Jan Opetaia (Australi)– Vitaly Kudukhov (Rusi) 10-7
+91 kg
Marko Radonjiç (Mali i Zi)– Nelson Hysa (Shqipëri) 6-5
Boksieri me i mire: Kristian Demaj (Shqiperia)
Ekipi me i mire: Rusia
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com