Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një tjetër fitore të madhe, duke mposhtur për herë të dytë radhazi Kroacinë, këtë herë në transfertë. Shqipëria triumfoi me përmbysje 2-1 në “Sport Centre Rudes”, në sfidën e vlefshme për grupin B4 të UEFA Nations League.
Fortesa Berisha barazoi rezultatin në minutën e 32-të, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 71-të si pasojë e një autogoli nga Balog, pas një aksioni të shkëlqyer të Berishës.
Trajneri Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Antigona Hyska (GK), Klea Hamonikaj, Alma Hila, Arbiona Bajraktari, Armela Tukaj, Ilarja Zarka, Ezmiralda Franja, Fortesa Berisha, Megi Doçi (C), Valentina Troka, Qendresa Krasniqi.
Kroacia kaloi e para në avantazh pas golit të Ivana Slipčević në minutën e 11-të. Megjithatë, Shqipëria reagoi mirë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 32-të me një realizim të bukur nga Fortesa Berisha. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Fraksioni i dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese. Vajzat u shfaqën disa herë rrezikshëm në sulm me Fortesa Berishën dhe Valentina Trokën.
Në minutën e 71-të, pas një aksioni nga krahu, Berisha pasoi në zonë dhe Balog në përpjekje për të larguar topin, e devijoi në portën e saj, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin dhe fitoren.
Ky është një tjetër sukses historik për Kombëtaren shqiptare të vajzave, që me këtë fitore renditet në vendin e tretë në Grupin B4 të UEFA Nations League, me 6 pikë.
Dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në këtë grup do të jenë ndaj Ukrainës në transfertë dhe ndaj Çekisë në shtëpi.