Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti një fitore të “vuajtur” me anë të penalltive kundër Elbasanit në çerekfinalen e kthimit të kupës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë shkodranët siguruan kalimin në gjysmëfinale, ku tashmë duhet të presë shortin për të mësuar kundërshtarin e rradhës. “Heronjë” në ndeshjen ndaj verdhebluve në kupë u shndërruan “djemtë e shtëpisë”, që i siguruan kualfikimin më tej skuadrës së Brdariç.

Kështu protagonistë kryesorë në shënimin e 3 golave gjatë kohës së rregullt ishin Ardit Krymi dhe Erdenis Gurishta. I pari ishte ai që ushtrou presion tek kundërshtarët në rastin e autogolit të tyre, shkruan shkodrasport.com

E ndërsa shënoi edhe për shifrat momentale të avantazhit 3-2 të kuqebluve. Po ashtu ishte edhe Gurishta i cili gjeti golin në këtë duel. Me mbrojtësin që riktheu shumë shpejt barazpeshën në shifrat 2-2 pas avantazhit të Elbasanit me anë të Lajthias.

Për t’u theksuar të dy futbollistët e dalë nga akademia Vllaznia ishin shumë të saktë edhe tek penalltitë në fund. Ku të dy arritën të shënonin në momente të mëdha emocionesh dhe presioni. Pa harruar edhe kontributin që dha edhe Aron Jukaj, një tjetër prodhim i akademisë Vllaznia. I cili me pritjet e tij gjatë lojës, por edhe gjatë serisë së 11 metërshave, u shpall edhe njeriu i ndeshjes.

Vllaznia në këtë mënyrë i “falet” elementit vendas që në duelin ndaj Elbasanit ishin vendimtarë me performancën e tyre. Dhe i siguruan kalimin më tej ekipit të drejtuar nga Thomas Brdariç.(www.shkodrasport.com)