Gabriel Guri, portieri i Parisit është shpallur kampion kombëtar me ekipin e U-19 në Francë. 18-vjeçari shkodran, me origjinë nga Thethi, arriti këtë rezultat të lartë me yjet 19-vjeçarë të Parisit. Ai ka pak kohë që është bërë pjesë e Akademisë së klubit të njohur francez dhe deri më tani, ka treguar performanca shumë pozitive.
Portieri, karrierën e tij e ka filluar tek Akademia Ada, ku ka luajtur për disa vite. Më pas, për dy sezone ka qenë pjesë e KF Murlani, ndërsa në verën e vitit 2021, ai shkoi për provë tek Akademia “Havre Athletic Club” në Francë, ku edhe atje bëri paraqitje të mira. Me kalimin e kohës, në adresë të tij shfaqi interes edhe Akademia e njohur e Olimpik Lion.
Aty luajti disa muaj dhe më pas u transferua tek Chatearoux. Paraqitjet e shkëlqyera me këtë ekip, bënë që drejtuesit e Akademisë së PSG ta ndjekin nga afër dhe në fund ta bindin për të qenë pjesë e tyre, aty ku është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për ekipin U-19 të PSG. Portieri shkodran ka një vit që luan me ekipin U-19 dhe natyrisht, paraqitjet e tij deri më tani kanë qenë shumë të kënaqshme, ku së fundmi u shpall kampion kombëtar me PSG në Francë.
Një karrierë që ka nisur në mënyrën e duhur për Gabriel Gurin, talentin e portës, i cili shpreson që të vazhdojë me këtë formë dhe të tregojë vlerat e tij tek klubi i njohur i PSG në Francë.
Maringlen ZHIVANI