Vinicius Junior është një nga futbollistët më në formë të Realit të Madridit. Sulmuesi brazilian është bërë shumë i rëndësishëm për kampionët e Spanjës dhe Europës, të cilët numërojnë vetëm fitore në sezonin e ri.

22-vjeçari është përballur me ofendime raciste, teksa shkruan në rrjetet sociale: “Për aq kohë sa ngjyra e lëkurës është më e rëndësishme se sa shkëlqimi i syve, do të ketë luftë.

E kam bërë tatuazh në trupin tim këtë frazë. Është një mendim që qarkullon gjithmonë në mendjen time. Ky është qëndrimi dhe filozofia që tentoj të aplikoj në jetën time.

Lumturia e fitores së një braziliani të zi sjell shqetësime në Europë, por dëshira ime për të fituar, buzëqeshja dhe vezullimi në sytë e mi janë më të mëdha se racizmi”, shkruan braziliani.

Ndërkohë, klubi spanjoll ka dalë në mbrojtje të sulmuesit me anë të një komunikate zyrtare. “Real Madrid refuzon çdo lloj shprehjeje dhe sjelljeje raciste dhe ksenofobike në fushën e futbollit, sportit dhe jetës në përgjithësi, si komentet e mjerueshme të bëra në orët e fundit ndaj lojtarit tonë Vinicius Junior.

Reali dëshiron të shfaqë gjithë dashurinë dhe mbështetjen për Vinicius Junior, një lojtar që e interpreton futbollin si një qëndrim ndaj jetës bazuar në gëzim, respekt dhe sjellje sportive.

Futbolli, që është sporti më global që ekziston, duhet të jetë shembull vlerash dhe bashkëjetese. Klubi ka udhëzuar që të ndërmerren veprime ligjore kundër kujtdo që përdor shprehje raciste ndaj lojtarëve tanë”.