Një nga boksierët më të mirë të Vllaznisë dhe boksit shqiptar të viteve ‘2000, pikërisht Sulejman Dashja është rikthyer sonte sërish në ring.
Pas disa vitesh shkëputje megjithatë rikthehet aty ku e la, si fitues. Ka ndodhur kështu në finalet e Kupës së Shqipërisë ku ai konkurroi përballë sportistit të Tiranës Arlind Mataj dhe e mundi me rezultatin e pastër 3-0. Ndonëse në gjendjen e tij jo më të mirë fizike, “Sula” ka entuziasmuar sportdashësit e pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” sepse ata kishin nostalgji sidomos për të majtën e tij të shkëlqyer që ai nuk e kishte harruar ta përdorte.
Dashja ka dalë kampion i Shqipërisë për disa vite me rradhë por më pas vendosi të braktisë vendin dhe të udhëtojë drejt Gjermanisë ku është vendosur bashkë me familjen e tij. Atje mundohet të mbajë trupin në formë me stërvitje por pa i kushtuar rëndësinë e duhur sepse prioritet për të kanë të tjera gjëra.
Megjithatë, pasioni për boksin ka mbetur gjallë tek ai.
I kthyer në Shkodër për disa kohë së fundmi, 31 vjeçari menjëherë ka përfunduar tek palestra e boksit ku ka takuar trajnerin Gjoni dhe kolegët e tij dhe papritur i ka lindur ideja për t’u ngjitur sërish në ring.
Pak ditë stërvitje dhe Dashja ka qenë i gatshëm për të qenë sërish më i mirë. Ndonëse tashmë jo në peshën e tij më të mirë, atë 69 apo 75 kg por shumë më tepër, teksa ka konkurruar në 91 kilogramë.
Megjithatë “pushimet” mbaruan dhe Sulejman Dashja do të kthehet sërish në Gjermani por tashmë disi më ndryshe, me medaljen e fituesit të Kupës së Shqipërisë për vitin 2017.
Një mbyllje zyrtare e karrierës si s’ka më bukur për këtë sportist kampion.
© shkodrasport.com