Pak kohë më parë në Shkodër u zhvilluan finalet e Kupës së Shqipërisë në boks dhe ajo çfarë ra në sy përveç trofeut të rradhës të ekipit të Vllaznisë, ka qenë ngjitja në ring e një emri të njohur të boksit shkodran dhe atij shqiptar. Bëhet fjalë për Sulejman Dashjen. Një emër shumë i njohur i viteve më parë por që tashmë në emigrim “thuajse ishte harruar”. Kampion për disa vite në peshën e tij të preferuar 69 kg, por edhe atë 75 dhe në fund edhe 81 kg.

Megjithatë ai kishte vite që ishte larguar nga Shqipëria. Por një vizitë disaditore në qytetin e tij të lindjes, ia ngacmoi idenë për t’u ngjitur sërish në ring dhe ndonëse ka përgatitjen e duhur fizike, ia doli të varë në qafë medaljen e fituesit. Një lumturi e madhe për të natyrisht por edhe për shokët e tij. Pas këtij suksesi, “Sula”, kështu e thërrasin miqtë e tij, është kthyer sërish në Gjermani, atje ku jeton me familjen e tij. Gazeta “Shkodra Sport” e ka intervistuar sot dhe ai flet gjatë, për këtë sukses të fundit, për karrierën e tij dhe shumë gjëra. Ndiqni intervistën e mëposhtme me këtë kampion:

-Dashja, vërtetë u shpallët fitues në Kupën e Shqipërisë por brezi i ri ndoshta nuk ju njeh më tepër ngaqë keni disa vite që jeni larguar nga vendi ynë. A mund të na thoni disa të dhëna më tepër rreth jush?

-Kam lindur në Shkodër më 24.05.1986 dhe me boksin jam lidhur që në moshë të vogël, pikërisht 11 vjeç. E kam vazhduar atë për 13 vite me rradhë me Vllazninë ndërsa në vitin 2010 jam larguar drejt Italisë ku e kam vazhduar boksin edhe për 6 vite të tjera. Ndërsa prej 1 viti ndërkohë jam vendosur bashkë me familjen në Gjermani.

-Gjatë kësaj periudhe, cilat kanë qenë sukseset tuaja në këtë sport?

-Me 16 vjeçarët jam shpallur tre herë kampion i vendit, me 18 vjeçarët jam shpallur 4 herë kampion ndërsa me të rriturit jam shpallur 5 herë kampion i Shqipërisë.

Të mos harrojmë se jam larguar nga vendi jonë në moshën 24 vjeçare sepse sukseset do të kishin vazhduar edhe më tej.

-Jeni i kënaqur me atë çfarë keni arritur në karrierën tuaj?

-Po, jam i kënaqur. Ndjehem i plotësuar me ato çfarë kam arritur dhe jam i lumtur për sukseset personale por edhe ndihmën që i kam dhënë Vllaznisë për fitimin e titujve kampionë.

-A mund të na thoni cila ka qenë ndeshja më e bukur për ju?

-Po, e mbaj mend. Ndeshja më e bukur është ajo ndaj kampionit të Italisë Rafaelle Di Nardo në një turne ndërkombëtar që u pat zhvilluar në Tiranë në vitin 2004. Jo më kot, në fund të atij turneu mora edhe kupën e boksierit më të mirë.

-U larguat shpejt nga Shqipëria, vetëm 24 vjeç. Pse zgjodhët këtë mënyrë për jetën tuaj?

-Konstatova se duke qëndruar në Shqipëri nuk mund të siguroja asgjë për jetën time. Ndonëse kisha gjithë këto tituj të fituar, ndonëse isha kampion i padiskutueshëm në peshat e mia, sërish nuk siguroja asgjë për jetën. Isha pa rrogë dhe kjo ishte e rëndë. Në këto rrethana, vendosa të emigroj në Itali.

-Jeni marrë edhe atje me boks?

-Po, për pesë vjet me rradhë. U sistemova në Padova dhe u rregjistrova tek ekipi i boksit të këtij qyteti me të cilin arrita të shpallen deri kampion i zonës së Venetos. Ndërkohë prej një viti jam spostuar në Gjermani, aty ku jam duke jetuar bashkë me familjen time.

-Çfarë ishte ky rikthim në ringun e Shkodrës në finalet e Kupës së Shqipërisë?

-Ishte e papritur për mua. Ndodhesha në Shkodër për disa ditë pushimi.

This slideshow requires JavaScript.

Një ditë shkova në palestrën e boksit për ta takuar profesor Zef Gjonin dhe ish-kolegët e mi. Njëri prej tyre, pikërisht Lazarin Vila më thotë: “A ke dëshirë të bësh boks në Kupë?”. Në fillim mu duk një pyetje e çuditshme sepse kisha disa kohë pa stërvitje fare por më pas, më ngacmoi ajo ideja për t’u rikthyer sërish në ringun e Shkodrës pas shtatë vitesh mungesë. Dhe thashë “po”. Për fatin tim, edhe fitova dhe mora medaljen e vendit të parë. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua.

-Mbase ky sukses mund të jetë një nxitje për të mos hequr dorë krejt nga boksi?

-Me shumë mundësi do ta vazhdoj prapë boksin edhe në Gjermani tashmë. Kjo është gjëja më e mirë që unë di të bëj, të luftoj në ring e të shpallem fitues.

-Një mendim për boksin shqiptar në këto momente?

-Nga ajo çfarë konstatova, gjendja ishte më e keqe se në vitin 2010 kur jam larguar unë. Mungojnë financimet dhe kjo është e pafalshme sepse boksi është sport i rëndë dhe duhet investuar për të.

-Sulejman ju falenderojmë për këtë intervistë të dhënë për gazetën tonë…

-Faleminderit nga ana Juaj që më rikthyet shumë emocione të karrierës time sportive.
Gjergj KOLA