Në Shkodër nuk i kursejnë kurrë kritikat kur ekipi i zemrës nuk bën mirë në fushën e blertë, por opinioni sportiv është i bindur që gjykimi ka penalizuar disa herë Vllazninë në këtë sezon.
Rasti i fundit u regjistrua në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ante Aralica ndëshkoi Partizanin në minutat shtesë, por kryesori Shahini vendosi të anulonte golin e kroatit pasi pa gjithçka në VAR.
Drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë një ankesë zyrtare në FSHF, ku kanë dërguar një notë proteste në të cilën evidentojnë rastet flagrante ku arbitrat kanë gabuar në dëm të Vllaznisë, pavarësisht se kanë pasur në dispozicion edhe sistemin VAR.
Tetë janë rastet ku shkodranët pretendojnë për padrejtësi, teksa Sulejman Mema deklaroi në “Gol pas Goli” në Supersport se kuqeblutë janë dëmtuar nga gabimet arbitrare.
“Kjo renditje që kemi sot, a është në masën më të madhe e merituar apo Vllaznia do kishte diçka më shumë? Jo, mendoj që Vllaznia do kishte pak më shumë nga penalitetet që i kanë bërë arbitrat. Unë mendoj se arbitrat nuk kanë qenë korrekt me Vllazninë.
Janë 2-3 momente, edhe nga arbitrat më të mirë, sidomos ky i fundit në Kupë.Edhe në ndeshje të tjera kam parë që vendimet nuk kanë qenë në favor të Vllaznisë. Nuk po i numëroj rastet… “, deklaroi Mema në emision.