Kampionati shqiptar ka hyrë në një moment shumë të rëndësishëm, teksa skuadrat tashmë kërkojnë të konsolidojnë pozitat e tyre, për të arritur kështu objektivat. Elita kryesohet nga Egnatia, ndërsa në vendin e dytë qëndron Vllaznia. Vendi i 3-të dhe i katërt mbahet nga Tirana dhe Partizani, sakaq sezon të mirë po luan edhe Dinamo e vendit të pestë.
I mirënjohuri, Sulejman Mema në një intervistë për News 24 në Sport News, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, tregoi këndvështrimin e tij. Diçka u tha edhe për futbollistët shqiptarë si Muçi apo edhe Manaj, që po bëjnë paraqitje pozitive në ekipet respektive.
Mema, pse është kaq e vështirë këtë sezon të flasësh për favoritë, pse kanë kaq shumë luhatje ekipet që synojnë titullin?
Luhatjet i kanë patur edhe më përpara. Arsyeja është vetëm akti final, teksa në fund katër më të mirat do të përballen mes tyre. Skuadrat nuk janë të motivuara nga fillimi në fund. Edhe tani shikoj që ka një interes të madh nga skuadrat.
Luhatje të forta kanë mbi të gjitha dy ekipet e kryeqytetit, Partizani dhe Tirana. Nuk po jep efektet që pritej transferimi i Shehit te Partizani, në këndvështrimin tënd pse po vuan kaq shumë ky ekip me lojtarë cilësorë, ku është problemi kryesor i tyre?
Ka të bëjë shumë edhe zëvendësimi i trajnerit. Çdo trajner ka idetë e tij. Partizanin dua ta shikoj te futbollistët dhe jo te trajneri. Partizani po pëson gola, ka raste kur nuk ka efikasitet në veprimet sulmuese.
Sa i takon Tiranës, konfliktet me trajnerin që ishte, ardhja e trajnerit të ri, janë gjëra që ndikojnë. Penalizimet e UEFA kanë bërë që elementët që kanë të mos jenë të gatshëm për të hyrë dhe për të dhënë kontribut.
Te Tirana vijojnë të ndryshojnë trajner, tani Halili po provon dhe kartën “Fagu”, a është normale për një klub kaq të madh të ndryshojë tre trajnerë në tre faza?
Unë mendoj që objektivat Tirana nuk i ka të qarta. Ardhja e Fagut? Është djal që është rritur këtu. Ka mentalitetin e duhur por nuk ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë.
Çfarë mund t’i kërkosh një trajneri që ulet në stol pa asnjë seancë stërvitore, me të drejtë Fagu apo kushdo tjetër kërkon kohë?
Duhet mbështetje nga të gjithë. Duhet mëbshtetur ky djal pasi është produkt i tyre. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të kapë “Final Four”. Është një vlerë e futbollit shqiptar!
Ndaj Laçit luajti për shumë minuta me një lojtar më shumë, por vetëm barazim. A mendoni se rrezikon Tirana?
Me këto rezultate, ka rrezik. Ka disa skuadra që mund të jenë afër. Një prej tyre është Dinamo, që unë e pashë dje. Luajti më mirë se Vllaznia, edhe pse fitoi Vllaznia.
Luan këtë javë me Vllazninë, ekipin e momentit në Superligë, si e shihni këtë përballje?
Dje nuk pashë një skuadër aq cilësore (I referohet Vllaznisë). Nëse Tirana do ketë gjitha resurset e veta në dispozicion, gjithmonë ka dhënë ndeshje të bukura. Duhet të triumfojë Tirana.
Ndryshe nga Partizani dhe Tirana, te Vllaznia ndihet dora e trajnerit dhe uria e një qyteti për të fituar titullin, a mund të bëjë Vllaznia surprizën këtë sezon, a ka elementët e duhur në këndvështrimin tënd për të fituar titullin?
Vllaznia do jetë pjesë e katërshes. Trajneri i ri që ka ardhur nuk merret shumë me aktualitetin që ka patur Vllaznia në përgjithësi. Tani nuk ka qoka, tani luajnë më të mirët dhe normalisht që vijnë rezultatet. Është pragmatist.
Një efekt pozitiv i skenës së re është fakti që nga vendi i parë Egnatia e deri te Laçi i vendit të 7 të gjithë duken në lojë, pasi Laçi është vetëm 5 pikë larg vendin të katër që të fut në garë për Evropë dhe titull, a mund të këtë ndonjë surprizë deri në fund dhe kush mund ta bëjë?
Nuk besoj se do të ketë surpriza. Unë besoj se 3 skuadrat e para janë të konfirmuara, dilema është vetëm për një vend. Rezultateve nuk i dihet pasi ka ende ndeshje. Disa skuadra do luftojnë për të qenë pjesë e finales së madhe.