Revolucion total në klubin Iliria. Pas marrjes në administrim nga biznesmeni Nazmi Selmani, është bërë një investim në kohë rekord në stadiumin “Redi Maloku”. Ambientet e brendshme dhe të jashtme të tij, tashmë kanë marrë një pamje fantastike.

Jo vetëm që është vënë dorë në tribuna, por gjithashtu u vendos një rrethim i ri dhe u rregulluan totalisht dhomat e zhveshjes. Kushtet janë mjaft të mira në impiant, ndërsa Iliria si ekip me merkaton që ka bërë klubi fushëkrujas, synimet i ka të qarta për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Të premten drejtuesit kishin organizuar një ceremoni për përurimin e rikonstruksionit të stadiumit, ndërsa risi në klub është afrimi i një emri të madh të futbollit shqiptar si Sulejman Starova.

Ish-trajneri do të ndihmojë Ilirinë duke vënë në dispozicion gjithë eksperiencën e tij në ringritjen e një klubi që synon të jetë shumë shpejt në elitë. Ai do të jetë këshilltar i administratorit Selmani.