Vllaznia ka arritur të dielën fitoren më të thellë sezonale deri në këto momente, teksa ka mundur ekipin e Burrelit me shifrat 3-0. Pavarësisht se ka shpërdoruar disa mundësi të tjera, sërish sulmi kuqeblu është treguar në lartësinë e duhur. Për më tepër, në këtë takim është kthyer te goli edhe lojtari kryesor i këtij reparti ofensiv, braziliani Silvio Xhunior.
Ai me golin e shënuar në përballjen e fundit ka mbërritur në kuotën e 6 golave, duke qenë njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i ekipit deri në këto momente. Mirëpo, jo shumë pas tij vijnë edhe mesfushorët sulmues që e mbështesin atë. Kapiteni Gilman Lika me golin e shënuar ndaj Burrelit është barazuar me nga 3 gola së bashku me mesfushorin tjetër sulmues, Ersen Hajdari.
Në kuotën e dy golave është edhe mesfushori tjetër që luan përkrah Xhuniorit në vijën e parë, Silvio Zogaj. Katërshja që përbën sulmin kuqeblu ka shënuar 14 nga 17 golat e realizuar nga e gjithë skuadra ose 82 për qind të golave të shënuar. Kjo tregon edhe njëherë se forca e Vllaznisë në këtë sezon është jo vetëm te mbrojtja, por edhe te golat e shënuar dhe për më tepër shpërndarja që është thuajse e të gjithë lojtarëve që luajnë në ofensivë.
Tre golat e tjerë janë shënuar nga mesfushori Tafili dhe dy nga mbrojtësit Gocaj e Ignat. Në 11-të javët e këtij sezoni Vllaznia nuk ka arritur që të shënojë vetëm në dy takime, ato të luajtura në transfertë ndaj Shënkollit dhe Ilirisë.
SHPËRDORIMI
Pavarësisht se sulmi po bën mirë punën e vet, ajo që është parë në këto takime të këtij sezoni është se skuadra sërish shpërdoron raste të tjera për shënim. Edhe vetë tekniku Hasan Lika ka deklaruar se edhe lojtarët e vijës së parë duhet sërish që të punojnë për të korrigjuar shënjestrën e tyre.
“Mendoj se ekipi vazhdon që të shpërdorojë. Edhe në këto takime ka ndodhur e njëjta gjë. Megjithatë, e rëndësishme është që skuadra krijon raste të shumta për shënim. Në këtë drejtim duhet që të vijojmë që të punojmë”, është shprehur tekniku, i cili vijon që të jetë kërkues ndaj të tijve, në mënyrë që të thellojë diferencën me ekipet e tjera jo vetëm me pikë, por edhe me golat e shënuar.