Nuk ka ndërmend të shuhet sherri mes Gustavo Gomez dhe Milan. Menaxheri i lojtarit është kthyer të flasë për situatën dhe ka drejtuar gishtin nga klubi kuqezi: “Uroj që Milan të përfaqësohet përsëri në të ardhmen nga personazhe në lartësinë e duhur, – ka thënë Augusto Paraja për ‘Tuttosport’. – Tashmë, e gjithë bota e futbollit qesh me situatën që është krijuar te Milan”. Kështu, pas zërave për një sherr me Mirabelli-n, Augusto Paraja është kthyer në sulm.
“Nuk dua të flas për atë që thuhet se ka ndodhur në zyrat e klubit, – ka vazhduar ai. – Por ju garantoj se Milan po kalon një moment paqartësie të madhe. Nëse merr një lojtar të kategorisë së tretë ose të katërt dhe e aktivizon në Serie A, nuk mund të befasohesh nëse ai dështon. Nëse nuk ke nivelin e duhur intelektual dhe profesional për të drejtuar një klub të madh, rezultatet nuk do të jenë të mira”.
“Na kanë trajtuar shumë keq, pa asnjë arsye, – ka thënë Paraja. – Drejtuesit e Boca-s kanë ardhur nga Buenos Aires, kanë sjellë një fanellë si dhuratë dhe nuk u është ofruar as edhe një kafe. Ky ka qenë fillimi, imagjinoni si është mbyllur mbledhja. Ata të Boca-s nuk donin ta besonin atë që kishte ndodhur. Kanë ofruar 5 dhe 6 milionë euro për Gomez, por Milan nuk ka pranuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe 6 muaj më parë kur kam shkuar me drejtuesit e Fenerbahce me një tjetër ofertë konkrete”./telesport/