Opinion nga Ismet Hoxha
Vllaznia e tregoi veten me atë fitore që arriti në Ballsh dhe realisht na gëzoi të gjithëve. Duke parë edhe dështimin e kryesuesve, të cilët u ndalën me nga një barazim, atëherë skuadra shkodrane përfitoi nga ajo fitore shumë e rëndësishme që mori ndaj Bylisit në transfertë. E në fakt, Vllaznia duhet të vazhdojë që të kthehet realisht e fortë në klasifikim dhe të arrijë aty ku duhet. Ai triumf i arritur jashtë fushe nuk duhet të jetë i pari dhe i fundit, por të pasohet edhe nga të tjerë. Mendoj se ajo çka ka rëndësi është fakti që Vllaznia të mos gabojë në ‘Loro Boriçi’ si ndaj Apolonisë dhe të mos lëshojë pikë në çdo sfidë, pasi këto do t’i vlejnë shumë në fund të kampionatit.Mund të them pa frikë se Vllaznia do të rritet nga takimi në takim. Loja e kësaj skuadre është me të vërtetë për t’u vlerësuar, pasi ka një rritje të dukshme. Megjithatë, mund të them se sulmi, aty ku edhe unë kam kontribuar vetë për shumë vite, po çalon. Nuk ka një pikë ku duhet vlerësuar dhe mbështetur në këtë drejtim. Shpëtim Duro po bën maksimumin që kjo skuadër të funksionojë siç duhet në këtë pjesë të sezonit, por deri më tani sulmi ka mbetur shterpë. Për mendimin tim është bërë maksimumi që kjo skuadër të jetë e gatshme për këtë sezon dhe të kërkojë më të mirën. E meqenëse kohë në dispozicion ka, atëherë gjërat duhen vlerësuar hap pas hapi. Ndonëse unë jam i mendimit se lojtarët duhet të punojnë më shumë që të përshtaten sa më shpejt të jetë e mundur me skuadrën dhe lojën e saj. Shoh që repartet e tjera kanë një rritje të konsiderueshme që nga ndeshja e parë, gjë që duhet të pasohet nga të gjithë lojtarët. Ndaj sulmuesit duhet realisht të punojnë shumë për të justifikuar dhe atë emër që mbajnë mbi supe, pasi vetëm me gola mund të flitet në fushën e lojës.