Vllaznia është një nga skuadrat me shterpësinë më të madhe në këto shtatë javë të kampionatit. Gjashtë gola të shënuar janë shumë pak për një skuadër, që në organikë ka të regjistruar gjashtë sulmues.Tre prej tyre mbajnë firmën e dy sulmuesve Kainës dhe Hoxhajt, ku vetëm braziliani është një sulmues tipik.
GOLAT – Ai ka shënuar një gol deri më tani. Ardit Hoxhaj ka shënuar dy prej tyre, pavarësisht se është një sulmues anësor dhe në të shkuarën e kemi parë të luajë edhe në mesfushë.
Herald Marku, pavarësisht se është mesfushor, gjendet përkrah Hoxhajt me dy gola të shënuar. Ndërsa një tjetër mesfushor, pikërisht Heriç mban autorësinë e një goli.
Tre gola në shtatë javë nga sulmuesit janë padyshim shumë pak për Vllazninë, një skuadër mjaft e investuar dhe me pretendimin e titullit kampion.
MINUTAT – Tre gola në shtat pa një qendërsulmues të deklaruar. Aralica, Vulaj dhe Çoba janë aktivizuar shumë pak deri më tani dhe e kanë pasur të vështirë që në aq pak minuta të mundin të lënë shenjë.
ANTE ARALICA – Kroati në sezonin e kaluar ishte futbollisti që herë pas here nxirrte ekipin nga situata me golat e tij, megjithëse merrte shumë shpesh kritika për faktin që humbiste edhe raste të shumta.
26-vjeçari ishte ndër të paktët që u mbijetoi largimeve të të huajve në këtë merkato vere, me shpresën se do të ishte sërish ai që do t’i garantonte golat edhe këtë sezon.
Megjithatë, kjo gjë nuk po ndodh. Sezonin e kaluar, kroati ishte ndër shënuesit më të mirë të Vllaznisë me 10 gola, por i ndikuar paksa edhe nga dëmtimet, ka humbur shkëlqimin dhe nga një titullar i Brdariç dhe Plorit, është kthyer në rezervë luksi për Josën.