Vllaznia do presë nesër në “Loro Boriçi”, skuadrën e Egnatias. Ndeshje që është e vlefshme për javën e 35-të të kampionatit dhe që do jetë e fundit këtë sezon që do luhet në Shkodër. Nga njëra anë kuqeblutë me objektiv Europën e në krahun tjetër rrogozhinasit që tashmë kanë siguruar vendin e 8-të, ku do luajnë ndeshjen play off për qëndrimin në Superligë.
Në krye të stolit të Vllaznisë do bëjë debutimin edhe Mirel Josa. Trajneri kryeqytetas vjen me objektivin për të nxjerrë skuadrën nga “errësira” ku është zhytur. Dhe puna për të duket se do fillojë që me repartin e sulmit, që në këtë periudhë nuk po kalon formën më të mirë dhe është nën akuzë për rezultatet jo pozitive që kanë pasur shkodranët.
Kështu Ante Aralica nuk shënon prej 6 ndeshjesh, ku për herë të fundit kroati gjente rrjetën kundër Partizanit në gjysmëfinalen e kupës së Shqipërisë. Po ashtu Ardit Hoxhaj nuk po kalon një periudhë pozitive. Ish-sulmuesi i Flamurtarit golin e fundit të shënuar e ka vitin e shkuar. Më saktë më 12 dhjetor të vitit 2021, ku shënonte në fitoren 2-0 kundër Skënderbeut.
Fahuredin Djurdjevic është zhdukur nga radarët prej kohësh e nuk mbahet mend kur ka shënuar për herë të fundit me kuqeblutë. Liridon Latifi, njeriu kryesor i golit tek Vllaznia gjithashtu po kalon një “krizë” ku nuk gjen rrjetën që nga barazimi 1-1 kundër Teutës para 5 javëve.
Dy futbollistë që kanë gjetur golin së fundmi janë Da Silva dhe Çoba që të dy shënuan në fitoren 2-1 kundër Kukësit. Tashmë për Josen lind detyra që të gjejë mënyrën për të zhbllokuar sulmuesit, në një pikë të sezonit ku gjithçka varet vetëm nga fitoret.
Endri Çinari