Nga Endri ÇINARI
Nëse ishte pika më e fortë e Vllaznisë deri në këto momente të sezonit, në javët e fundit sulmi i kuqebluve ka qenë i “thatë”. Skuadra e drejtuar nga Brdariç ka shënuar 49 gola pas 33 javëve të Superiores. Duke qenë në këtë statistikë së bashku me Dinamon si ekipet që kanë gjetur rrjetën më së shumti këtë edicion.
Por në periudhën e fundit, ku golat janë ata që kanë më shumë rëndësi sepse garantojnë suksesin në duele vendimtare, rrjetat e futbollistëve shkodranë kanë munguar. 9 herë kampionët e vendit nuk gjejnë golin prej 270 minutash tashmë, në 3 ndeshje rradhazi mes kampionatit dhe kupës.
Ku në këto ndeshje, kuqeblutë kanë barazuar 0-0 me Teutën në shtëpi për kampionat, po ashtu 0-0 ndaj Dinamos në Shkodër për kupën dhe së fundmi një humbje 1-0 në Ballsh me Bylis në kuadër të javës së 33-të të kampionatit. Një moment “jo” për sulmin dhe skuadrën kuqeblu që duhet të gjejë reagimin që nga ndeshja e rradhës me Dinamon.
Po ashtu edhe shifrat e sulmuesve flasin për këtë “ngecje” të kuqebluve. Kjo pasi nga futbollistët e sulmit, vetëm Gruda ka arritur të shënojë 2 herë në 7 javët e fundit. E ndërsa emra si: Balaj, Mensah, Çoba, Dodaj dhe Delaj kanë minimalisht mbi 7 ndeshje pa gjetur golin në kampionat. Ecuri që ka ndikuar negativisht edhe tek 9 herë kampionët e vendit dhe rezultatet e fundit.