Vllaznia e mbylli fazën e parë të kampionatit me një fitore kundër Bylis. Ndeshja që u zhvillua ditën e premte, shikoi si fitues kuqeblutë me rezultatin 2-1. Tre pikësh që i shikon të besuarit e Joses për momentin në vendin e 4-ët me 14 pikë. 5 pikë larg kreut që mbahet nga Partizani në kuotën e 19 të tillave.

Por ajo që shqetëson për momentin nuk janë pikët, por golat. Kjo pasi Vllaznia ka shënuar vetëm 9 gola në 9 javë, me një mesatare 1 gol për ndeshje. Shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion dhe që do të jetë në krye. Madje asnjë fitore e shkodranëve nuk ka ardhur me më shumë se një gol diferencë ndaj kundërshtarit.

Patjetër kritikat më të mëdha për finalizimin shkojnë për sulmuesit. Ardit Hoxhaj është nga sulmuesit më i miri, pasi ka shënuar 2 gola. Kaina numëron 1 gol kundër Tiranës e ndërsa Aralica ende nuk e ka gjetur rrjetën këtë sezon. Për të mos përmendur Latifin që ka qenë i dëmtuar që nga java e dytë kundër Kukësit, apo edhe Çoba që është aktivizuar pak minuta.

Reparti që nderon Vllazninë përsa i përket golave është ai i mesfushës. Kjo pasi Marku ka shënuar 4 gola duke qenë më i miri në ekip. E po ashti rrjetën e kanë gjetur edhe Heriç dhe Jonuzi.

Patjetër që është pozitive që mesfushorët shënojnë tek Vllaznia, por diçka në sulm duhet zgjidhur. E nëse skuadra duhet të udhëhiqet me gola, ato duhet ti bëjnë sulmuesit.
Endri ÇINARI