Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e tretë të renditjes. Ku shkodranë pas 19 javësh të zhvilluara kanë grumbulluar 31 pikë. Duke qenë kështu vetëm 3 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Dinamo. Pika më e fortë e kuqebluve deri më tani këtë sezon ka qenë shënimi i golave.

Skuadra e drejtuar nga Brdariç ka shënuar plot 29 herë. Duke qenë edhe në këtë renditjes pas Dinamos, me blutë që kanë gjetur rrugën e rrjetës plot 30 herë.

Ajo çfarë bën përshtypje në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit është shpërndarja e golave. Janë plot 10 lojtarë që kanë gjetur minimalisht 1 herë rrjetën deri më tani në Superiore për Vllazninë.

Duke nisur nga qendër mbrojtësi, Milos Stojanoviç. Me serbin që ka shënuar madje dy herë, në fitoren 2-0 ndaj Bylis dhe barazimin 2-2 ndaj Partizanit.

Nga reparti i prapavijës po ashtu ka gjetur golin edhe Bajrami në suksesin 2-1 kundër Teutës. Për të vijuar me mesfushën ku Sala e po ashtu Qato kanë shijuar golat këtë sezon me fanellën kuqeblu.

Reparti i sulmit është “qershia mbi tortë”. Pasi ata që paguhen për të dërguar topin në rrjetë nuk kanë zhgënjyer. Me Balajn që ka shënuar 8 herë, Malen dhe Dodajn me nga 4 gola secili për kokë.

Çoba dhe Gruda po ashtu kanë nga dy gola në llogarinë e tyre deri më tani e ndërsa një gol ka shënuar edhe Delaj. Duke treguar kështu se sulmi dhe shënimi i golave ka qenë me të vërtetë një pikë e fortë e Vllaznisë deri më tani./www.shkodrasport.com/