Vllaznia sot ka fituar ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Korabit, por jo vetëm kaq. Kuqeblutë duket se kanë fituar edhe një lojtar që pritet të jetë shumë i rëndësishëm për ta.
Bëhet fjalë për sulmuesin brazilian Silvio Rodrigues Pereira Junior. Ai në ndeshjen e sotme jo vetëm ka shënuar golin e dytë, atë të fitores, por ka dhënë pasime të sakta për shokët e ekipit dhe ka qenë protagonist në fushën e lojës.
Në momentin e zëvendësimit ka marrë shumë duartrokitje sepse ka lënë përshtypje të mirë tek të gjithë sportdashësit e pranishëm në stadium.
Kuptohet që nuk është në kondicionin e tij më të mirë fizik por me kalimin e javëve sigurisht që pritet të përmirësohet edhe më shumë. Nisur nga ajo çfarë ka paraqitur në stërvitje këto ditë, Rodrigues ka krijuar besim tek shokët e ekipit.
Po ashtu edhe trajneri Lika është shprehur se ky lojtar ka më shumë potencial. Dhe të mendosh pastaj se në mediat shqiptare u tha se “Vllaznia ka marrë një sulmues që ka tre vjet pa shënuar”.
Mund të jetë edhe ashtu por shenjat e para duken shumë të mira dhe shkodranët ndoshta mund “t’i kenë rënë shenjës me të.
© shkodrasport.com